Poster i vendosur në qendër të Prishtinës në ditët kur qeveria e Kosovës i vendosi taksë mallrave nga Serbia e Bosnja. Foto: BIRN

Ministria e Punës sqaron blerjen e produkteve nga Serbia, fajin ia lë AQP-së

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, e ka arsyetuar blerjen e produkteve serbe duke thënë se lista e artikujve me specifikim teknik të artikujve ka ardhur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, organ i cili e zhvillon këtë procedurë.

Musa Demiri zyrtar për informim në MPMS tha se obligim i ministrisë ka qenë vetëm planifikimi i sasive për 36 muaj ose shtimi i ndonjë artikulli tjetër sipas nevojës.

MPMS tha se AQP-ja duhet të analizojë mirë specifikimin teknik dhe në rast se ka diçka që nuk është në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik të Kosovës duhet që të korrigjohet, ose t’i kthehet njësisë kërkuese për korrigjim.

KALLXO.com ka shkruar se Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka kërkuar që të furnizohet me artikuj ushqimor siç janë me “Plazma”, “Eurokrem” e “Smoki” si dhe disa artikuj të tjerë me firmë të specifikuar.

MPMS në përgjigjet e dhëna për KALLXO.com ka sqaruar se: “Pas hyrjes në fuqi të vendimit për vendosje të taksës 100% ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, MPMS nuk ka bërë asnjë porosi për asnjë lloj të produktit me prejardhje nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina”.

Sipas MPMS porositë të cilat janë bërë në tenderin për Furnizim me artikuj ushqimor me numër të prokurimit UA/2016-18-9466-1-1-1 të hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, janë planifikuar për të gjithë klientët që janë në përkujdesje rezidenciale 24 orë, ku numri i tyre aktualisht është 147.

“Me artikujt ushqimor që furnizohemi nga operatorët furnitorë për çdo muaj përgatiten tri shujta, mëngjes, drekë dhe darkë, kurse për stafin punues që ofron përkujdesje dhe shërbime është e lejuar një shujtë”, thuhet në përgjigje të ministrisë.

MPMS në përgjigjet e dhëna tha se ofron përkujdesje dhe strehim 24 orë për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara mendore-ngecje në zhvillimin mendor si dhe persona të moshuar pa përkujdesje familjare.

Këto kategori sipas ministrisë janë të strehuara në Shtëpinë për Persona të Moshuar në Prishtinë, në Institutin Special në Shtime dhe në Shtëpinë e Fëmijëve po ashtu në Shtime dhe Strehimorja në Lipjan.

KALLXO.com ka shkruar për tenderin 23.5 milion të shpallur nga AQP-ja, për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike ishin artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

KALLXO.com, ka siguruar qasje në kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese për furnizim në këtë tender.

Për institucionet e tjera të cilat kanë bërë kërkesë për furnizim mund të informoheni në këtë LINK.