Logo, MPMS

Ministria e Punës njofton për kërcënim të inspektorëve të punës

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se në kuadër inspektimeve të rregullta që kryejnë inspektorët e Inspektoratit të Punës, jo rrallë kanë hasur në rezistencë nga punëdhënësit, sidomos gjatë inspektimeve në sektorin e ndërtimtarisë.

Rasti më i freskët sipas Ministrisë është ai që ka ndodhur së fundmi në N.P “Izolimi”, në rr. “Ferid Curri”, në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Në këtë subjekt juridik inspektorët e punës, për aq sa janë lejuar të zhvillojnë inspektimin, kanë evidentuar shkelje të legjislacionit në fuqi mbi sigurinë dhe shëndetin në punë.

“Gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, inspektorët janë penguar nga A.R., i cili është prezantuar si menaxher i punishtes. Për më tepër z. A.R. në mënyrën më të vrazhdë  i ka kërcënuar inspektorët e punës, i ka fyer, ua ka hedhur dokumentacionin përtokë e sjellje të tjera jonjerëzore duke pamundësuar kështu kryerjen e detyrës zyrtare të inspektorëve të punës”, njofton Ministria e Punës.

“Bazuar në mandatin që ka Inspektorati i Punës për sigurinë dhe shëndetin në punë, inspektorët e punës kanë qenë të detyruar që të kërkojnë ndihmë nga Policia e Kosovës, të cilët në kohë optimale i janë përgjigjur ftesës së inspektorëve të punës, ku ne u jemi mirënjohës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

MPMS, gjegjësisht Inspektorati i Punës, do të vazhdojë në mënyrë intensive dhe me përgjegjësi të plotë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit aktual duke pas gjithnjë prioritet mbi prioritete sigurinë dhe shëndetin e të punësuarve.

“Për asnjë moment nuk do të dorëzohemi ndaj kërcënimeve dhe shkelësve të ligjit, por do të veprojmë konform legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.