Konferenca e Ministrisë së Kulturës | Foto: MKRS

Ministria e Kulturës Shpenzoi 98 % të Buxhetit

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport Kujtim Gashi ka prezantuar sot të arriturat dhe sfidat e këtij viti për Ministrinë e Kulturës

Ministri Gashi tha se është i kënaqur me shpenzimet e buxhetit të ministrisë.

“Ministria e Kulturës për këtë vit ka pasur një buxhet mbi 25 milionë euro dhe jemi shumë të kënaqur me shpenzimet e këtij buxheti. Deri sot ky buxhet është shpenzuar në vlerën prej 98% dhe akoma jemi duke e përpiluar raportin për shpenzimet e dy ditëve të fundit”, u shpreh ministri.

Ministri Gashi në këtë konferencë ka përmendur ngjarjet ndërkombëtare në të cilat Kosova ka marrë pjesë këtë vit, e të cilat janë përkrahuar nga Ministria e Kulturës, si dhe çmimet ndërkombëtare që janë ndarë për herë të parë nga Ministria e Kulturës siç është çmimi për letërsinë shqipe i cili iu nda Ismail Kadaresë.

Ministri po ashtu ka përmendur edhe rritjen e pagave për aktorët e teatrit.

“Kemi qenë të vetëdijshëm se është sfidë, por si kabinet dhe si qeveri jemi  të vendosur që të plotësojmë kërkesat e tyre”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu ka folur edhe për ndërtimin e stadiumit kombëtar të cilin e konsideron si investimin më kapital në fushën e sportit.

“Një nga të arriturat me rëndësi për fushën e sportit në këto 100 ditë është edhe vendimi për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës  i cili tani ka marrë edhe rrugën e realizimit. Ne jemi në fazën procedurale të fillimit të studimit të fizibilitetit dhe besoj se gjatë vitit 2018 do të kemi hapa konkretë për këtë projekt i cili është investimi më kapital në fushën e sportit”, tha ministri.