Foto: MKRS

Ministria e Kulturës ndanë rreth 2 milionë euro për Komunën e Rahovecit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi kanë nënshkruan katër memorandume bashkëpunimi për projekte me vlerë 1 milionë e 750 mijë euro.

Këto memorandume u nënshkruan me qëllim të mbështetjes financiare në realizimin e projekteve, “Ndërtimi i Palestrës Sportive në Komunën e Rahovecit”, “Ndërtimi i Stadiumit në Ratkoc”, “Ndërtimi i Palestrës Sportive në Krushë të Madhe – Komuna e Rahovecit” si dhe “Ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Komunën e Rahovecit”.

Sipas memorandumit të nënshkruar për mbështetjen financiare të projektit “Ndërtimi i Palestrës Sportive në Komunën e Rahovecit”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, investon mjete financiare në vlerën e 600 mijë eurove, ku 300 mijë euro të këtij investimi do të bëhen gjatë vitit 2018 ndërsa 300 mijë të tjera gjatë vitit 2019.

Për projektin “Ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Komunën e Rahovecit”, MKRS-ja ndanë mjete financiare në vlerën e 500 mijë eurove. Edhe ky investim do të bëhet gjithashtu gjatë viteve 2018/19, ku 200 mijë euro do të bëhen gjatë 2018-s ndërkaq 300 mijë gjatë 2019-s.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po ashtu do të ndajë 250 mijë euro për realizimin e projektit “Ndërtimi i Stadiumit në Ratkoc”. 100 mijë euro të këtij investimi do të bëhen gjatë vitit 2018, ndërsa 150 mijë gjatë vitit 2019.

Ndërkaq, për realizimin e projektit “Ndërtimi i Palestrës Sportive në Krushë të Madhe”, sipas memorandumit të nënshkruar, MKRS-ja ndan mjete financiare në vlerë 400 mijë euro, investim i cili do të realizohet gjatë viteve 2018/19. Mjetet financiare në vlerën e 100 mijë eurove do të ndahen gjatë vitit 2018 ndërsa 300 mijë gjatë vitit 2019.

Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi dhe kryetari Smajl Latifi, u shprehën të kënaqur me nënshkrimin e këtyre memorandumeve.

Ministri Gashi tha se ishte një kënaqësi e veçantë që vizitoi Komunën e Rahovecit dhe takoi kryetarin Latifi. Ai veçanërisht shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e 4 memorandumeve duke thënë se “këto memorandume kanë të bëjnë me katër projekte kapitale në fushën e sportit në kuadër të angazhimeve tona dhe përkushtimit tonë për ta ngritë infrastrukturën sportive në Republikën e Kosovës”.

Ai po ashtu bëri të ditur se ministria do të jetë në mbështetje të plotë të Komunës së Rahovecit edhe për projekte të tjera në fushën e kulturës e të rinisë.

“Natyrisht gjithmonë do ta kemi parasysh t’i mbështesim edhe projektet që kanë për karakter organizime të shumta në Rahovec edhe te pjesa e rinisë, e kulturës dhe  trashëgimisë”, tha Gashi.

Ministri Gashi informoi se me kryetarin Latifi janë dakorduar edhe për realizimin e projekteve nga fusha e trashëgimisë.

“U dakorduam që për Muzeun ose shtëpinë e Ukshin Hotit të marrim veprime që të sigurojmë aty edhe staf po në të njëjtën kohë ta shndërrojmë këtë objekt edhe në pikë turistike për shumë vizitorë për shkak të një numri të madh që e mban siç ka qenë veprimtari Ukshin Hoti. Po ashtu ramë dakord që shtëpia ku janë masakruar shumë qytetarë të Krushës edhe të fshatrave përreth ta marrim nën mbikëqyrje, në të njëjtën kohë ta restaurojmë dhe ta kemi një objekt të kujtesës tonë kolektive”, tha ministri Gashi.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se ishte kënaqësi që të bashkëbisedohet rreth disa projekteve që janë me interes jetik për sportin e komunës së Rahovecit.

Ai po ashtu falënderoi ministrin veçanërisht për përkushtimin e tij për sa i takon përmbylljes me sukses të punimeve në palestrën e sportit në Rahovec.

“U dakorduam që në fund të vitit të e japim mbështetjen e plotë që të përmbyllet faza e tretë dhe përfundimtare e palestrës së sporteve në Rahovec”, përfundoi ai.