Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Ministria e Infrastrukturës Pa Përgjigje rreth Gjobave të Larta në Trafik

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin i cili ngre pikëpyetje të mëdha në bazën ligjore mbi të cilën Policia e Kosovës është duke shqiptuar gjoba të larta në trafik.

Ekipi hulumtues i emisionit “Drejtësia në Kosovë” ka vërejtur se Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh që Policia do shqiptojë gjoba deri në 60 euro, ndërsa Policia bazuar në Ligjin për procedurën e kundërvajtjes është duke shqiptuar gjoba deri në 500 euro.

Në Ministrinë e Infrastrukturës, e cila do të duhej të sqaronte këtë situatë, askush nuk ka pranuar të flasë para kamerës.

Ata janë arsyetuar se nuk kanë çfarë të komentojnë për këtë çështje.

“Ju njoftoi se Ministria e Infrastrukturës ka përgatitur pakon e ligjeve të MI për harmonizim me Ligjin për Kundërvajtje, në të cilën pako ligjore është edhe Projektligji për plotësimin edhe ndryshimin e ligjit nr. 05/l-088 për rregullat e trafikut rrugor. Kemi proceduar për miratim në Zyrën Ligjore të Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të Ministrisë së Infrastrukturës.

Pa komente për këtë çështje është edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka nxjerrë një rregullore e cila përcakton gjobat e trafikut por pa sqaruar nëse kanë pasur bazë ligjore të nxjerrin rregullore e cila përcakton gjobat e një ligji të cilin e ka një ministri tjetër në kompetencë.

”Ministria përkatëse për punë të brendshme, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor, me akt nënligjor nxjerr vendim me anën e të cilit krijohet mekanizëm për inkasim të gjobave dhe çështje të tjera lidhur me to. Në këtë drejtim, nëpërmjet Udhëzimit Administrativ të lartcekur, MPB e ka rregulluar mënyrën e inkasimit të gjobave, përmes masave administrative të përcaktuara në nenin 10 të UA”, thekson Ministria e Punëve të Brendshme.

Emisionin “Drejtësia në Kosovë”, që trajton këtë temë, të plotë mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm: