Foto: KALLXO.com

Ministria e Financave: Zgjidhet problemi i ujit të pijshëm për Fushë Kosovën

Ministria e Financave thotë se qytetarët e Fushë Kosovës “shumë shpejt” do ta zgjidhin problemin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Përmes një komunikate, kjo ministri bëri të ditur se ministri Bedri Hamza ka arritur pajtueshmërinë ndërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfË) dhe KRU ”Prishtina” sh.a, përmes propozimeve konkrete për të amandamentuar marrëveshjen e projektit nga Faza e III e projektit për ndërtimin e Fabrikës për ujë të pijshëm në Shkabaj, në mënyrë që mjetet e mbetura në projekt të përdoren për furnizimin me ujë për qytetarët e komunës së Fushë Kosovës dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të furnizimit me ujë për qytetarët e komunës së Prishtinës.

Sipas komunikatës, ministri Hamza ka mundësuar zgjidhjen e këtij problemi shumë vjeçar dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët e komunës së Fushë Kosovës.

Përveç këtij investimi, Ministria thotë se me këtë amandamentim parashihen edhe investime tjera për Komunën e Prishtinës, siç janë vendosja e pompës shtytëse nga Stacioni i Pompave Mirdita II në Rezervuarin Mirdita III në Matiqan; rehabilitimi i rrjetit (zëvendësimi i rrjetit të vjetër me rrjetin e ri) të ujësjellësit në Bregun e Diellit – Zona Qendër dhe Zona e Perëndimit në Prishtinë dhe rehabilitimi i rrjetit (zëvendësimi i rrjetit të vjetër me rrjetin e ri) të ujësjellësit në Lagjen e Medresesë në Prishtinë.