Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë mbron Projektligjin për Dhomën e Posaçme

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj kritikave lidhur me Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në njoftim thuhet se  pretendimet se Projektligji në fjalë privon palët nga shkallshmëria e ankesës janë tërësisht të pabazuara.

“Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme vepron si Gjykatë dy-shkallëshe. Është tërësisht e qartë se vendimet e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme, si pjesë e Gjykatës Supreme, nuk mund të jenë objekt i asnjë shkalle të mëtejshme të ankimimit, përveç se objekt i trajtimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila garantohet nga paragrafi 15 i nenit 9 të Projektligjit në fjalë”, thuhet në njoftim.

Ata po ashtu thanë se duke marrë parasysh faktin se sipas Ligjit për Gjykatat, Dhoma e Posaçme është pjesë e Gjykatës Supreme si dhe duke marrë për bazë specifikat dhe procedurat e veçanta që zhvillohen në këtë institucion gjyqësor, mungesa e mjeteve të jashtëzakonshme juridike nuk përbën shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

Dhe sipas tyre ky qëndrim është vërtetuar edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, gjatë trajtimit të mëhershëm të pretendimeve të ngjashme.

“Nga ana tjetër, projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme jo vetëm se mundëson kalimin e kompetencave të plota tek gjyqtarët vendorë por njëkohësisht ofron alternativa konkrete që rrisin efikasitetin e punës së Gjykatës dhe shtojnë nivelin e llogaridhënies së gjyqtarëve për punën e tyre”,sqaron MD.
Ministria e Drejtësisë në njoftim thotë se është e bindur se gjatë seancës së nesërme deputetët do të vënë interesin e vendit mbi të gjitha dhe do ta miratojnë këtë Projektligj.​