Foto ilustrimi: 2tales/Flickr

Ministria e Diasporës i Vesh Shoferët me Pare të Shtetit

Ministria që drejtohet nga Valon Murati ka menduar për shoferët e saj, duke iu blerë veshmbathje, si këpuca për verë e për dimër, palltë, këmisha etj.

Për kontratë është rekomanduar kompania “Alma”, e cila kishte ofertuar 1,582 euro për t’i veshur shoferet e kësaj ministrie.

Zyrtarja për informim e Ministrisë së Diasporës, Sabrie Grainca ka thënë se veshmbathjet janë blerë për shoferët e kësaj ministrie.

“Është fjala për veshje të zakonshme (komplet i veshjes) për dimër dhe verë. Këto veshmbathje janë për pesë shoferët e Ministrisë së Diasporës”, tha Grainca për KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me pronarin e operatorit “ALMA”, e cila e ka fituar tenderin për të furnizuar shoferët e Ministrisë me rroba, Arben Mashkulli. Ai tregoi ne detaje se çfarë i ka shitur ministrisë së diasporës.

“5 palë rroba të verës, 5 palë rroba të dimrit, 13 këmisha të verës, 13 këmisha të dimrit, 3 palltë verore, 5 palë këpuca të verës dhe 5 palë këpuca të dimrit, kjo është me sa di unë”, tha Arben Mashkulli për KALLXO.com.

Ai tha se nuk e di se çfarë lloj marke janë rrobat me të cilat do të veshën shoferet e Ministrisë.

Ministria e Diasporës edhe vitin e kaluar i kishte shpërblyer zyrtarët e saj me veshmbathje. Kontrata e vitit të kaluar ishte për 498 euro më shtrenjtë. Vlera e kontratës vitin e kaluar ishte 2,080 euro, me kompaninë N.T.P “Dion”.
KALLXO.com kishte shkruar më herët se Qeveria e Kosovës kishte shpenzuar 198 euro për të blerë rroba për shoferin e kabinetit të Edita Tahirit.

Ministria e Diasporës kishte shpenzuar  1 mijë euro për buqeta lulesh për dëshmorët, edhe pse varrezat e tyre ndodhen në gjendje të mjerueshme.