Objekti i Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit emëron anëtarët e Këshillit Drejtues për dy Universitete Publike ‘minutën e fundit’

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka emëruar anëtarët e Këshillit Drejtues për dy Universitetet Publike rajonale, atë të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe të Gjilanit “Kadri Zeka”.

MAShT në Universitetin e Mitrovicës për anëtarë të Këshillit Drejtues ka emëruar Meriton Hajzerin, Mustafë Hazirin, Musa Dibranin dhe Ali Topallin.

 

 

Vendimi i MAShT-it për anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit Publik të Mitrovicës “Isa Boletini”

 

Ndërsa, në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, janë emëruar tre anëtarë: Emrush Thaçi, Yllka Behluli, Artan Haziri.

 

Vendimi i MAShT-it për anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit Publik të Mitrovicës “Kadri Zeka”

Ky emërim i anëtarëve të Këshillit Drejtues nga ana e Ministrisë së Arsimit, ka ardhur me vonesë, pasi që këto dy universitete qysh nga fillimi i vitit akademik 2018/2019 nuk e kishin funksionale këto këshille.

Universitetet e lartpërmendura kanë bërë emërimin e anëtarëve që ju takon atyre, dhe kanë qenë tashmë në pritje të MAShT-it për kompletimin e tyre.

Ndryshe, Këshilli Drejtues është organi kryesor qeverisës i universiteteve. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Dy universitete rajonale publike tashmë e disa muaj kishin mbetur pa organin udhëheqës kryesor, atë të Këshillit Drejtues.

Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” dhe ai i Mitrovicës “Isa Boletini” që nga fillimi i vitit akademik nuk e kanë konstituar këtë Këshill.

E për mos kompletim të anëtarëve të këtyre Këshillave Drejtuese, zëdhënësja për informim në Universitetin e Gjilanit, Minire Rexhepi tha për KALLXO.com se UKZ ka kryer obligimet e veta me kohë për zgjedhjen e anëtarëve që i takojnë, por se ishin në pritje të MAShT-it për kompletimin e Këshillit Drejtues.

“Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka mbajtur zgjedhjet për anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues të zgjedhur nga Senati. Me këtë rast ka zgjedhur 4 anëtarë : Prof. Ass. Dr. Merxhan Avdyli, Prof. Ass. Dr. Nevrije Ismaijli, Prof. Ass. Dr. Urtak Hamiti dhe Prof. Ass. Dr. Musa Ajeti. Tani UKZ është vetëm me 4 anëtarët e saj të zgjedhur nga Senati, deri sa është në pritje të delegimit edhe të tre emrave të tjerë nga MAShT për të kompletuar KD te UKZ”, deklaroi ajo për KALLXO.com

Rexhepi po ashtu tha se për këtë MAShT është njoftuar me 11 shtator të vitit 2018 për këtë çështje.

“Me 11.09. 2018 UKZ i ka dërguar një njoftim ministrit të MAShT-it për këtë, përmes së cilës ka kërkuar emërimin e tre anëtareve të KD-së nga MAShT, derisa mandati i KD të formatit të kaluar, ka skaduar me 30 shtator 2018”, ka shtuar tutje ajo për KALLXO.com.

Edhe në Universitetin “Isa Boletini të Mitrovicës ka munguar  Këshilli Drejtues që nga fillimi i vitit akademik në tetor të vitit të kaluar.

“Ne i kemi njoftu Ministrinë, i kemi emëru anëtarët e Këshillit Drejtues që na takojnë neve, por jemi në pritje të Ministrisë për dërgimin e anëtarëve të tjerë, 3 apo 4 siç na takon,  në mënyrë që ky këshill të jetë funksional dhe të fillojë punën siç duhet”, tha Jashari për KALLXO.com.

Ministria e Arsimit në përgjigjet e saj dhënë në fund të vitit të kaluar për KALLXO.com i kishte fajësuar universitetet për mos lajmërim të mbajtjeve të zgjedhjeve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave Drejtues.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi i cili vendimin për anëtarë të Këshillave Drejtuese të dy universiteteve, atij të Gjilanit dhe Mitrovicës e ka marrë me 31 dhjetor 2018-të.

Por para se ta merrte  këtë vendim ai në një intervistë për KALLXO.com kishte thënë se këto universitete nuk e kanë lajmëruar Ministrinë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ajo që e ka karakterizuar edhe Universitetin e Gjilanit dhe disa universitete, i kanë bërë zgjedhjet e brendshme dhe kanë emëruar Këshill Drejtues pa na njoftuar fare ministrinë, njëfarë mënyre kanë qenë të obliguar të na njoftojnë dhe ne të jemi vëzhgues. Këtë e kanë bërë pa paralajmërim, ne e kemi marrë vetëm informacionin pasi kanë përfunduar zgjedhjet. Konsideroj që tashmë kemi ardhur në një vendim që të hapim rrugë por mos të shkaktojmë probleme më tutje. Përndryshe ne kemi mundur t’i anulojmë tërësisht zgjedhjet që kanë ndodhë në këto universitete pa qenë të lajmëruar ministria”, ka thënë Bytyqi.

Ndërsa, Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard” vonesat e emërimeve nga ana e MAShT-it për këto Këshille i ka cilësuar si të dëmshme për dy institucionet arsimore, U.P. “Kadri Zeka” dhe U.P. “Isa Boletini”.

“Duke qenë se me ligjin për arsimin e lartë dhe me statut të universiteteve rajonale Këshillat Drejtues paraqesin autoritetin kryesor qeverisëses të universitetit, janë të pakuptimta dhe të papranueshme vonesat në emërim të anëtarëve të rinj nga MASHT”, tha ai për KALLXO.com.