Ministri Tejkalon Premtimin për Matematikanët

Prindi i njërit nga 13 nxënësit udhëtues të Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë ishte ankuar në janar të këtij viti në KALLXO.com se Ministria e Arsimit nuk po ua jepte këtyre nxënësve bursën prej 50 eurove për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit.

I kontaktuar nga KALLXO.com ministri i Arsimit Arsim Bajrami kishte premtuar që ministrisë kur t’i vijë mundësia e parë e volitshme do të realizonte premtimin e vonuar.

MAShT-i u kishte mbetur borxh këtyre nxënësve 15 mijë euro.

http://kallxo.com/premtimi-pambajtur-ministrise-se-arsimit/

Por dje Ministria e Arsimit ka vendosur që secilit prej 113 nxënësve të kësaj shkolle t’u japë bursën prej 50 eurosh, pasi drejtimin e matematikës e konsideron deficitar në nivel të Kosovës.

Përveç kësaj, sipas vendimit të ministrisë, parashihet që nxënësve t’u ofrohet edhe mundësia e ushqimit në Mensën e Studentëve në Prishtinë.

Ministri Arsim Bajrami gjatë njoftimit të këtyre nxënësve për bursat dhe mundësinë e ushqimit, u zotua se ata edhe në vazhdim do ta kenë përkrahjen institucionale.

“Jam këtu për t’ju siguruar se do të keni mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës dhe timen. Ju jeni shpresa e Kosovës, sepse ju keni zgjedhë të vazhdoni shkollimin në një gjimnaz shumë të rëndësishëm, të cilin do ta quaj gjimnaz të ekselencës dhe njerëzve inovativë.  Nëse zgjidhni që të studioni matematikën do të keni mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit,” tha Bajrami.

Para dy vjetësh Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar për problemet e gjimnazit matematikor të ndërtuar në kohën kur ministër i Arsimit ishte Ramë Buja.

Ky gjimnaz buxhetit të Kosovës i kishte kushtuar më shumë se dy milionë euro.

Shkolla e Dështuar Elitare e Ministrit Buja