Gjatë takimit mes Shyqiri Bytyqit, Marjan Demajt dhe kryesuesit e parlamentit studentor, Foto: Facebook

Ministri takon rektorin, flasin për 'ngritjen e cilësisë në UP'

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka thënë se është i interesuar që MAShT të rritë cilësinë në Universitetin e Prishtinës.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Bytyqi ka treguar se është takuar me rektorin e Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”, Marjan Dema, kryesuesen e Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku dhe përfaqësues tjerë të KD-së dhe të Parlamentit Studentor të UP-së.

“Universiteti i Prishtinës padyshim është kupola e arsimit të lartë në Kosovë dhe të gjithë së bashku, në bashkërenditje me Këshillin Drejtues, Rektorin, Parlamentin Studentor, profesorët dhe studentët, mund dhe duhet ta bëjmë më të mirën e mundshme që ky institucion i dashur për të gjithë, vërtetë të shkëlqejë në çdo aspekt”, ka shkruar Bytyqi.

Ai ka thënë se institucioni të cilin e drejton është interesuar që të rris cilësinë e UP-së.

“MAShT është e interesuar dhe e përkushtuar për rritje të vazhdueshme të cilësisë në këtë institucion, që Universiteti i Prishtinës të jetë shembulli i suksesit për të gjithë”, ka shkruar tutje Bytyqi.

Sipas Bytyqit, MAShT, me politika adekuate mbështetë fuqishëm Universitetin e Prishtinës në rritjen dhe zhvillimin e tij akademik ndërsa ka shtuar se janë të gatshëm që kurdoherë që është nevoja të ofrojnë mbështetjen e duhur në zgjidhjen e problemeve eventuale që shfaqen, në funksion të zhvillimit të UP-së, realizimin e agjendave dhe ngritjen e cilësisë, si synim i përbashkët i të gjithëve.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim edhe Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës, çdo kërkesë të tyre të arsyeshme, e cila është në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim dhe në interes të studentëve tanë”, ka përfunduar postimin Bytyqi.