Ministri Tahiri: Ende kemi punë në luftën ndaj korrupsionit 

Në një takim që u zhvillua sot, ambasadorë dhe shefa të misioneve diplomatike të vendeve të Bashkimit Evropian, u informuan nga ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri për masat që po ndërmerr Ministria e Drejtësisë në adresimin e gjetjeve të Raportit të Vendit të Komisionit Evropian.

Në këtë takim, Tahiri ka treguar se përveç ndryshimeve normative, raporti flet edhe për rritjen e numrit të stafit gjyqësor në prokurori dhe gjykata, përfshirë edhe në Prokurorinë Speciale.

“Dëshiroj të theksoj se pas investimeve që kemi bërë në gjyqësor dhe sistemin prokurorial përmes rritjes së buxhetit për to, sot Republika e Kosovës ka arritur kuotat sipas standardeve evropiane për numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për kokë banori. Ky investim do vazhdojë edhe në të ardhmen dhe presim një planifikim adekuat për nevojat e KGJK dhe KPK-së të cilat do t’i mbështesim vazhdimisht”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, raporti vlerëson iniciativat e Ministrisë së Drejtësisë, Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit dhe Agjenda “Drejtësia 2020”, si mekanizëm për koordinimin institucional në funksion të zbatimit të ligjeve në fuqi.

Në këtë takim, përveç ndryshimeve të bëra në Shërbimin Korrektues dhe Sprovues, Tahiri ka përmendur edhe ndryshimet që po bëhen në legislacionin dhe mekanizmat e luftës kundër korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është proces që duhet të matet me një numër të thjeshtë rastesh të shënjestruara por duhet të vazhdojë të prodhojë rezultate të përgjithshme në secilin drejtim dhe mendoj se kemi ende shumë punë për të bërë që të arrijmë rezultate më të mëdha në këtë drejtim”, ka thënë Tahiri.

Tutje, Tahiri ka thënë se pas miratimit të reformave legjislative, organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë në duar instrumente të fuqishme për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar në një nivel krejt tjetër nga ajo çfarë është dëshmuar deri me sot.

Duke folur për raportin, Tahiri ka thënë se raporti ka vlerësuar edhe arritjet në kuadër të bashkëpunimit juridik në çështje penale, në intensifikimin e bashkëpunimit, marrëveshjeve të reja dy paleshe dhe efikasitetit të organeve tona në këtë fushë.

“Puna që kemi bërë për më shumë se një vit, ka qenë e drejtuar në funksion të përmbushjes së aspiratave tona për sundim efikas të rendit dhe ligjit, për luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për qasje më efikase në drejtësi për qytetarët tanë. Personalisht, si Ministër i Drejtësisë jam përpjekur që ky projekt kombëtar, pra sundimi i ligjit, të marrë qasjen dhe drejtimin e duhur. Me ato ligje që kemi reformuar që janë në fuqi dhe të tjerat që janë në proces, besoj se Republika e Kosovës nuk ka qenë kurrë më afër fizionomisë së plotë të Shtetit të së Drejtës”, ka thënë ministri.