Foto: Uran Ismaili/Facebook

Ministri synon kreun e PDK-së në Prishtinë

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka dorëzuar sot kandidaturën për kryetar të degës së kësaj partie në kryeqytet.

Ismaili thotë se kandidatura për kryetar të degës së ka për synim një Prishtinë më të mirë.

Sipas tij, është koha që vizioni për një Prishtinë funksionale të bëhet realitet.

Uran Ismaili mbanë pozitën e ministrit të Shëndetësisë.

Ky është shkrimi i plotë i Uran Ismailit:

Pas një pune të madhe lagje për lagje dhe fshat për fshat, sot edhe zyrtarisht dorëzova kandidaturën time për Kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë. Duke synuar një Prishtinë më të mirë, kam vendosur që angazhimin tim politik e partiak ta përqendroj në qytetin tim. Energjinë e Dekadës së Re synoj ta shndërroj në një forcë që e transformon marrëdhënien mes PDK-së dhe Prishtinës, që PDK-së i jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që e meriton. Prishtina nuk duhet të jetë vetëm kryeqytet ku përqendrohet jeta politike e Republikës, por edhe qytet i jetueshëm për qytetarët e saj. Përvojat tona negative me qeverisjet e kaluara le t’i përkthejmë në përpjekje të përbashkët pozitive për Prishtinën tonë! Është koha që vizioni për një Prishtinë funksionale të bëhet realitet!