Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme. Foto: Kallxo.com

Ministri i Sëmurë, Nuk Raporton për Gjendjen në Inspektoratin Policor

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, nuk është paraqitur para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme ku ishte planifikuar të raportojë për zhvillimet e fundit ne Inspektoratin Policor të Kosovës.

Për shkaqe shëndetësore, ministri Sefaj ka lajmëruar që nuk do të mund të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit.

Anëtari i këtij komisioni, Rexhep Selimi (Vetëvendosje) e arsyetoi mungesën e ministrit, por kërkoi që Komisioni ta bëjë një grup punues për të diskutuar për gjendjen në Inspektorat, sidomos pas suspendimit të kryeshefit të këtij institucioni, Hilmi Mehmeti.

“Unë po insistoj pse tani është e nevojshme që ne ta ngrisim një grup punues për të shikuar zbatimin e Ligjit për Inspektoratin Policor”, tha Rexhep Selimi.

“Është koha e fundit të merremi me zbatueshmërinë e Ligjit të Inspektoratit… Ka kohë të gjatë që ky institucion që ka pasur probleme të vazhdueshme. Probleme ka pasur edhe viteve të kaluara, jo vetëm nga ky që e udhëheq sot”, tha Selimi.

Selimi vlerësoi se është e domosdoshme ndryshimi i këtij ligji.

Por ideja e tij për ngritjen e një grupi punues u prit me rezerva nga anëtari tjetër i Komisionit, Muharrem Nitaj (AAK).

“Po du të besoj që gjendja e tij me gripin e ka bërë te mos vijë por unë propozoj që kjo mbledhje të shtyhet. Nuk e shoh të arsyeshme që në këtë fazë të bëjmë grupe punuese ose çfarëdo tjetër pa e dëgjuar ministrin”, tha Nitaj.

Anëtari i Komisionit, Xhelal Sveçla (Vetëvendosje), duke iu referuar raportimeve të fundit, tha se gjendja në IPK “është serioze dhe ka shkelje të rënda”.

“Janë të paktën tre zyrtarë që janë përfshirë dhe katër insitucione, Inspektorati, Ministria, Avokati i Popullit dhe Prokuroria. Po flasim për insitucione dhe shkelje që duhet të jenë të paimagjinueshme për këtë institucion. Duke e pa këtë gjendje është urgjente të krijohet një grup punues”, tha Sveçla.

Ndërsa Fatmir Xhelili nga PDK kundërshtoi krijimin e grupit punues me arsyetimin që ky propozim mund të ndikojë në hetime.

“Unë jam i prirur edhe njëherë me ju lutë që me i dhënë hapësirë me i zhvillu hetimet këto institucione. Në fazën tjetër pastaj ne e shohim zbatueshmërinë ose jo zbatueshmërinë e ligjshmërisë. Neve na takon roli i monitoruesit”, tha Xhelili.

Por Rexhep Selimi replikoi me deputetin Xhelilin, duke thënë se kërkesa e tij është për krijimin e një  grupi punues e jo ndonjë komision hetimor.

Sipas Selimit, grupi punues nuk ka rol të ndërhyrjes ose pengimit të hetimeve.

“Unë kam kërkuar grup punues për mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së ligjit. Dhe ky grup punues nuk ka rol të ndërhyrjes. Unë po them edhe njëherë grup punues dhe jo komision hetimor”, tha Selimi.

Edhe Ismet Beqiri nga LDK kundërshtoi idenë e formimit të këtij grupi punues duke thënë se Komisioni mund ta përcjellë zbatueshmërinë e Ligjit për IPK-në.

“Unë mendoj që Komisioni ka obligim me e përcjellë zbatueshmërinë e ligjit pa bërë grupe dhe nëngrupe. Unë mendoj që së pari duhet ta dëgjojmë ministrin”, tha Beqiri.