Ministri Reçica: Shtesat e fëmijëve të sigurohen përmes fondit, për të mos u ngarkuar buxheti

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se Qeveria është në fund të procesit të sjelljes në Kuvend të një projektligji ku përfshihen edhe shtesat e fëmijëve.

“Ky debat që ka të bëjë me trajtimin meritor të fëmijëve dhe të së ardhmes së tyre po vjen në kohën kur ne si Qeveri jemi fare në fund që këtij Kuvendi t’ia sjellim një projektligj, i cili do të prekë edhe fushën e shtesave të fëmijëve. Jo rastësisht këtë vit e kemi quajtur vit i reformave”, tha ministri.

Sipas ministrit Reçica, për shtesat e fëmijëve do të duhet të krijohet një fond në mënyrë që të mos rëndohet buxheti i Kosovës.

“Nataliteti ka qenë brengë dhe s’do të duhej të bëhej e tillë për shkak të buxhetit. Nataliteti paska qenë brengë e mungesës së iniciativave”, tha ai.

Ministri i Punës shtoi se shqetësuese është fakti që  më  1 shtator ka pasur 16 mijë fëmijë më pak në banka shkollore.

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar debat parlamentar sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga 7 deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së, në lidhje me shtesat e fëmijëve.

https://kallxo.com/rezoluta-e-donika-kadajt-femijet-deri-16-vjec-te-marrin-nga-10-euro-ne-muaj-shtesa/

www.kallxo.com