Ministri i MPMS-së, Skender Reçica - Foto: Facebook

Ministri Reçica: Mos t'u hyjmë në hak familjarëve të të pagjeturve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica në seancën për personat e pagjetur ka thënë se ky institucion u jep mbështetje familjarëve të kësaj kategorie në çështje financiare.

“E di që ndihma financiare nuk shlyen plagën e familjarëve të personave të pagjetur, nuk shlyen plagën e viktimave të dhunës seksuale dhe nuk shlyen plagën për heronjtë dhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës, por ne e kemi obligim të punojmë fort që ky vend të zhvillohet ekonomikisht të ketë arsim më cilësor, shëndetësi dhe mbi të gjitha punë dhe mirëqenie sociale”, tha Reçica.

Ministri tha se institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes dhe të mos u hynë në hak financiar familjarëve të personave të pagjetur.

“Së paku në aspektin financiar ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos u hyjmë në hak këtyre familjarëve dhe mos t’i privojmë nga e drejta përfituese nga e cila kanë derdhur djersë me kontributin e tyre”, deklaroi ministri.

I pari i Punës dhe Mirëqenies tha se do ta japë mbështetjen e në miratimin e Ligjit për Personat e Pagjetur që sipas tij pritet që në fund të seancës parlamentare të votohet.