Ministri Mustafa takon Mytaher Haskukën, diskutojnë për sigurinë në Prizren

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, gjatë ditës së sotme ka takuar Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi në Prizren.

Në këtë takim mori pjesë Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka si dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se, takimi me KKSB në Prizren është bërë me arsye të identifikimit të shqetësimeve të qytetarëve dhe për të debatuar mbi çështjet e sigurisë në Komunën e Prizrenit.

“Për ta realizuar një mision kaq të rëndësishëm sikurse e ka KKSB-ja në Prizren, nevojitet të merren parasysh shqetësimet e qytetarëve që lidhen me çështjet e sigurisë. Po bëhen përpjekje të shumëfishta që të avancohet gjendja e sigurisë”, thuhet në njoftim.

Përveç kësaj në këtë takim u diskutua edhe për ngritjen e sigurisë në shkolla, e cila u konsiderua një sfidë në vete.

“Sa i përket sigurisë nëpër shkolla, ministri Mustafa e vlerësoi se ngritja e sigurisë nëpër shkolla vazhdon të mbetet një sfidë dhe se për këtë nevojitet një bashkëpunim i sinqertë dhe reciprok ndërmjet Policisë, prindërve dhe personelit arsimor”, thuhet tutje aty.

Në këtë takim ministri Mustafa ka potencuar se përmirësimi i sigurisë në komunikacionin rrugor nuk varet vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme, ngase rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajnë edhe akterë të ndryshëm në nivel nacional dhe lokal si dhe kontribut të çmuar japin edhe pjesëmarrësit në komunikacion dhe vetëdijesimi i tyre.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, theksoi se bashkëpunimi me organet më të larta të sigurisë bën që të rritet më tej niveli i sigurinë për qytetarët e Prizrenit.

“Në takim, kryetari Haskuka shprehi shqetësimin e tij lidhur me zjarr vëniet nëpër pyje që janë shtuar kohëve të fundit. Ai bëri të ditur se deri më tani janë identifikuar rreth 200 raste të zjarr vënieve”, thuhet tutje në njoftim.

Për sigurinë në komunikacion, Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës​ tha se kjo e fundit ka planin zhvillimor-strategjik për vitin 2016-2020 dhe në kuadër të këtij Plani janë paraparë edhe objektivat, ku në mesin e tyre janë objektivat e sigurisë dhe parandalimi i aksidenteve në trafikun rrugor.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se në këtë takim tema diskutimi ishin edhe procesi i legalizimit të armëve, procesi i ri- integrimit i personave të kthyer nga vendet e luftërave, situata aktuale e sigurisë në komunë, etj. Takimi me KKSB-të ndihmon në identifikimin e problematikave të cilët janë shqetësuese për komunitetin dhe ky komunikim mes nivelit qendror dhe lokal identifikon dhe jep zgjidhje të probleme të ndryshme.