Ministri Mustafa: Nuk kemi vendim për ta shpallur gazetarin britanik ‘persona non grata’

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka marrë asnjë vendim nëse do të shpallet “persona non grata” gazetari britanik, Graham Phillips.

Në një prononcim për KALLXO.com, ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa, ka përgënjeshtruar informacionet e publikuara në portale të ndryshme se ai ka një vendim të gatshëm për gazetarin britanik.

“Nuk është e vërtetë”, është përgjigjur ministri Mustafa i pyetur nga KALLXO.com se a është vendimi i gatshëm për shpalljen e gazetarit “persona non grata”.

Gjatë ditës është raportuar për mundësinë që autoritetet e Kosovës ta shpallin “persona non grata” gazetarin britanik, i njohur për deklaratat e tij kundër shtetit të Kosovës dhe UÇK-së.

Në video-incizime të publikuara në kanalin e tij në Youtube, Graham Phillips UÇK-së i referohet si “organizatë terroriste”.

Në një deklaratë për BIRN, gazetari ka thënë se Kosova është një shtet terrorist.