Ministri Fatmir Matoshi - Foto: KALLXO.com

Ministri Matoshi: Asnjë hidrocentral në Kosovë nuk ka leje mjedisore

Fatmir Matoshi, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” ka thënë se asnjë hidrocentral në Kosovë nuk ka leje mjedisore.

“Projekti i Kelkosit në Deçan me aq sa kam unë informacion nuk është i përfunduar, e dyta nëse ju filloni me ndërtuar diçka dhe pretendoni se gjatë ndërtimit nuk do ta bëni asnjë dëm është gabim. Unë po u referohem dokumenteve dhe letrave që i kam gjetur në ministri. Nuk e kam drejtu atë ministri para pesë vjetëve dhe nuk mbaj përgjegjësi. Letrat thonë se Kelkos në Deçan posedon pëlqime ujore, pëlqim mjedisor dhe posedon të gjitha pëlqimet dhe lejen ndërtimore, por që nuk posedon leje mjedisore dhe asnjë hidrocentral në Kosovë nuk posedon një leje të tillë”, ka thënë Matoshi.

Në anën tjetër i pyetur se a është dënuar Kelkos Energy për dëmet që ka shkaktuar në Lumbardh të Deçanit, ai ka shtuar se në MMPH ekziston një padi nga inspektorati i kësaj ministrie por që gjykata asnjëherë nuk ka vazhduar tutje.

“Investimi nuk është kry sepse në kuadër të projektit është paraparë që të ndërtohet edhe një digë të zona e “Zallit të Rupës” dhe ka institucione të tjera që merren me atë dhe me raportin e e prodhuesit sepse ai nuk prodhon rrymë për me e shti në gjep po për me ja shit KEDS-it. Ka një padi të cilën e ka bërë inspektorati i MMPH në vitin 2016 dhe deri më sot nuk ka pasur asnjë thirrje prej gjykatës”, ka deklaruar ai në debatin për Lumbardhin.

Në këtë debat marrin pjesë: Fatmir Matoshi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës; Afrim Ajvazi nga ZRrE; Adriatik Gacaferi nga shoqëria civile dhe Viktor Berishaj, hulumtues.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.

www.kallxo.com