Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Foto: KALLXO.com

Ministri: Marrëveshja për Pensionet Kosovë- Zvicër Nënshkruhet në Pranverë

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ku ishte e pranishme edhe Barbara Gysi, anëtare e Komisionit për Politika Sociale në Parlamentin e Zvicrës dhe Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale u tha që marrëveshja për pensionet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës do të nënshkruhet në pranverë.

Ndërprerja e marrëveshjes për pensionet në mes Kosovës dhe Zvicrës është bërë në vitin 2010. Kjo marrëveshje ka qenë e nënshkruar mes ish-Jugosllavisë dhe Zvicrës qysh në vitin 1962.

Që nga viti 2010 e deri tani kosovarët që kanë kontribuuar në Zvicër, që kanë punuar e kanë kontribuar atje nuk kanë marrë pensione.

Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në mbledhjen e komisionit tha që marrëveshja pritet të nënshkruhet në fund të muajit mars.

“Unë për 4-5 muaj sa jam ministër kam pritur qindra familjarë që e kanë këtë problem dhe jam ndjerë keq që nuk është bërë mjaftueshëm për këtë çështje. Fundi i muajit mars do të jetë koha kur do të nënshkruhet marrëveshja në bazë të informatave që i kam nga ambasadori zviceran në Kosovë”, ka potencuar ministri Reçica.

Ministri tha se disa nga pensionet që do t’i marrin kosovarët në Zvicër janë pensionet kontributore, trusti pensional, pensionet invalidore, pensionet testuese etj.

“Qytetarët kosovar që kanë punuar për një kohë të gjatë në Zvicër do të kenë mundësi ta marrin pensionin në Kosovë. Qytetarët që banojnë në Zvicër dhe që i plotësojnë kushtet atëherë pala kosovare është e detyruar të bëj transferin e parave”, është shprehur ministri Reçica.

Edhe pse marrëveshja do të nënshkruhet në pranverën e këtij viti, ratifikimi i saj do të marrë kohë gati gjashtë muaj.

“Mundësia për të mos e pranuar pensionin në Kosovë është stërzgjatur. Në këtë pranverë do ta presim që të ndodhë. Ratifikimi duhet të bëhet në parlamentin e Zvicrës dhe në atë të Kosovës. Parlamenti i Zvicrës i ka dy dhoma dhe kjo marrëveshje do të shkoj një herë në një dhomë e mandej edhe në dhomën tjetër, kjo do të zgjasë gjysmë viti sepse parlamenti mblidhet 4 herë në vit”, ka potencuar Barbara Gysi, anëtare e Komisionit për Politika Sociale në Parlamentin e Zvicrës.

Barbara Gysi ka shpjeguar se ka pasur persona që kanë qenë kundër kësaj marrëveshje sidomos ata të ekstremit të djathtë por shtoi se do të mundohen t’i bindin kolegët e tyre sepse kjo është e rëndësishme edhe për Zvicrën.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka dhënë njoftimin se gjatë javës së ardhshme do të nënshkruhet marrëveshja me shtetin e Belgjikës për pensionet.

Flora Brovina, anëtare e komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale theksoi se punëtorëve të cilët kanë punuar për vite të tëra në Zvicër u është bërë shkelje e të drejtave të njeriut duke iu mohuar pensionet.

“Me këtë çështje jam informuar që para tetë viteve. Ndaj punëtorëve që kanë punuar aq gjatë është bërë shkelje e të drejtave të njeriut, kjo është e dhimbshme se ata kanë kontribuar në fondin pensional të Zvicrës. Nëse një zviceran do të jetojë në Kosovë pas pensionimit do të mund ta merrte pensionin në Kosovë por nëse një kosovar do të vinte këtu nuk do të mund ta merrte, pra ja ku është shkelja e të drejtave të njeriut”, ka thënë Brovina.

Kurse anëtari tjetër i këtij komisioni, Faton Topalli tha se nënshkrimi i marrëveshjes nuk është zgjidhje e mirë pasi ajo do të zbatohet që nga data që do të hyjë në fuqi e nuk do ta mbulojë vakumin kohor prej 8 viteve.

“Çështja e pensioneve është një njollë e zezë për të dy vendet tona. Është papërgjegjësi edhe e qeverisë tonë që nuk ka reaguar. Mërgimtarët u trajtuan nga të dy qeveritë në mënyrë të keqe. Më habit që me 31 maj 2017 ministri Arban Abrashi deklaroi se me 1 qershor 2017 do të nënshkruhet marrëveshje por kjo ka qenë dezinformim sepse edhe ministri Reçica tha se nuk ka pasur nënshkrim të marrëveshjes. Nuk është zgjidhje e mirë sepse ajo fillon të zbatohet që nga nënshkrimi sepse çfarë do të ndodhë për këto tetë vitet e fundit që qytetarët nuk i kanë marrë pensionet”, ka potencuar Topalli.

Ministri Reçica ka njoftuar se kur të nënshkruhet marrëveshja do të fillojë një fushatë për t’i informuar kosovarët se si dhe ku duhet të aplikojnë për pensionet.

Ai më tej ka shtuar se në marrëveshje përfshihen sigurimet sociale dhe ato shëndetësore sipas legjislacioneve përkatëse por posa të bëhen sigurimet shëndetësore në Kosovë ata do t’i informojnë autoritetet zvicerane për shkak se në marrëveshje ekziston një dispozitiv për këtë pjesë.

Ministri Reçica ka theksuar se pensionet do të mund të merren vetëm nga dita kur kjo marrëveshje të hyjë në fuqi, pra qytetarët kosovarë nuk do të përfitojnë të ardhura për periudhën nga viti 2010 kur është ndërprerë kjo marrëveshje.

Barbara Gysi theksoi se është shumë e vështirë që të merren paratë për periudhën e humbur prej tetë viteve por që shpreson që të gjendet një zgjidhje në të ardhmen.

“Pajtohem që ndalja e pensioneve ka qenë shkelje e të drejtave të njeriut, për këtë arsye ne kemi luftuar që të bëhet kjo marrëveshje. Ka pasur situata të keqpërdorimit të pensioneve, kjo ka shkaktuar probleme të tilla. Është e vështirë që të merren paratë për periudhën e humbur, është e rëndësishme që njerëzit ta marrin të gjithë shumën, më vjen keq që në këtë hap nuk mundet të bëhet por në hapin tjetër po. Shpresoj që zgjidhja edhe për periudhën e humbur të gjendet”, tha Gysi.