PTK - Foto: KALLXO.com

Ministri Lluka: Nuk jam në dijeni për kredinë për PTK-në të përmendur nga Avdullah Hoti

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, e ka kritikuar Qeverinë Haradinaj për marrjen e një kredie në vlerë prej 25 milionë euro për ndërmarrjen publike PTK.

Hoti përmes një postimi në ‘Facebook’, thotë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë 25 milionë euro kredi për PTK-në për ta nxjerrë nga kriza e më pas për ta privatizuar.

“Tash edhe një marifet i ri nga Qeveria – Ministria e Zhvillimit Ekonomik: 25 milion kredi për PTK-ne për ta nxjerre nga kriza dhe për ta privatizuar”, ka shkruar deputeti Hoti në profilin e tij në “Facebook”.

Lidhur më këtë koment të Avdullah Hotit, KALLXO.com ka kontaktuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Ministri tha se nuk është në dijeni për këtë kredi të përmendur nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së.

“Po e kam pa postimin e tij. Jo nuk jam dijeni për çka e ka pasë fjalën”, u përgjigj shkurt Lluka.

Ndërkaq, KALLXO.com ka raportuar në janar se gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, ministri Lluka ka thënë se BERZH-i ka ofruar gatishmërinë për të ofruar një kredi deri në 25 milionë euro për të ndihmuar përgatitjen e Telekomit për privatizim.

https://kallxo.com/qeveria-nxjerr-ne-shitje-telekomin/

www.kallxo.com