Foto: Valdrin Lluka/Facebook

Ministri Lluka bën thirrje që të konsumohen mollat vendore

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë vizitës në panairin e bujqësisë “Agrokos” ka bërë thirrje që të konsumohen mollat vendore kundrejt atyre të importuara për të ndihmuar fermerët vendorë dhe gjenerimin e më shumë vendeve të punës.

“Mollat e Kosovës janë jashtëzakonisht të shëndetshme dhe nuk krahasohen me mollat që vijnë nga importi. Me konsumimin e tyre, jo vetëm që i ndihmojmë shëndetit tonë, por i ndihmojmë fermerëve nga Kosova që të zhvillohen dhe të gjenerojnë vende pune”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Ministri Lluka ka treguar se në panair ka takuar kultivuesit e mollës së Kosovës, ku njëri nga ta është edhe Dardan Velija me plantacionin e tij të ngritur në një lartësi mbidetare prej 1000 metra, në fshatin Zajçec të Komunës së Kamenicës.

“Kur bleni molla sot, mos harroni ta kërkoni prodhimin tonë, nga toka jonë dhe nga fermerët tanë”, ka thënë Lluka.