Foto: Ministria e Drejtësisë

Ministri kundërshton Haradinajn, tërhiqet nisma për ndihmë kompanisë që pësoi nga zjarri

Qeveria e Kosovës e ka larguar nga rendi i ditës i mbledhjes së sotme propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për t’i dhënë ndihmë financiare kompanisë ‘EuroMaks’ në Pejë.

Ndihma e propozuar kap shumën prej 200 mijë euro.

As ministri Shala e as ndonjë zëvendës ministër i MTI nuk ishin të pranishëm për ta bërë kërkesën zyrtare në qeveri gjatë mbledhjes prandaj kërkesa u lexua nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Por kjo kërkesë nuk u hodh në votim pas ankesës nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Mendoj që në ketë rast nuk i kemi ndjekë rrugët ligjore për të marrë këtë vendim. Nuk e kemi ndjekë ligjin për ndihmë shtetërore. Kjo kompani duhet të aplikojë e të marrë ndihmë”, tha ministri Tahiri.

“Kërkesa e tij është e pakuptueshme. Në kërkesën për ndihmë thotë se i është djegë fabrika nga shkaqe të panjohura. Pra nuk ka asnjë ekspertizë për këtë. Nuk duhet të bijmë në lajthitje as ju kryeministër e as ne Qeveria”, tha Tahiri.

Vërejtjes së ministrit Tahiri iu bind kryeministri Haradinaj.

“Për shkak të vërejtjes kërkoj nga Ministria e Tregtisë që t’i ndjekë procedurat ligjore e pastaj ta bjerë në Qeveri”, tha Haradinaj.