Pamje nga mbledhja e Komisionit parlamentar për Shëndetësi - Foto: KALLXO.com

Ministri Kritikohet për Sigurimet Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, është kritikuar sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, për mosimplementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

Anëtarët e Komisionit nga partitë opozitare thanë se qytetarëve të Kosovës u është mohuar e drejta për të pasur sigurime shëndetësore me mosimplementimin e Ligjit dhe me mosfillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurime, gjë që sipas ministrit do të niste më 1 janar 2017.

Besa Baftiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se prej pasluftës nuk ka pasur Qeveri që kanë pasur hallin e shëndetit të qytetarëve. Ajo ka kritikuar edhe ministrin e tanishëm të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, se nuk ka punuar sa duhet në drejtim të implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

“Në mënyrën se si ju keni paraparë mbledhjen e premiumeve nuk është  mirë dhe nuk bënte që të fillohet me 1 janar 2017. Ju keni qenë këmbëngulës që kjo do të bëhet. Se çka ndodhi nuk e di. A jeni në harmonizim me Kryeministrin tuaj sepse shumë keni deklaruar që Kryeministri ju mbështet juve dhe shëndetësinë. Faktikisht del që jo vetëm se ju e demantuat veten por edhe Kryeministri”, tha deputetja Baftiu.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Imet Rrahmani në emisionin “Jeta në Kosovë” pati deklaruar se mbledhja e premiumeve do të fillojë në janar të vitit 2017.

Njësoj i ashpër u tregua edhe Ali Berisha nga AAK-ja. Ai tha se në fillim të mandatit ministri ka proklamuar si prioritet sigurimet shëndetësore por një gjë e tillë nuk është realizuar as sot.

“Mendoj që hapat apo veprimet që duhet t’i ndërmarrë Ministria apo Qeveria po mungojnë. Edhe në takimin e sotëm nuk po shoh hapa konkretë që kanë filluar të ndërmerren në mënyrë që në korrik të fillojnë sigurimet shëndetësore”, tha Berisha.

Sipas tij ka shumë mungesa e një ndër to është edhe Sistemi i Informimit Shëndetësor.

Pas këtyre kritikave, ministri Rrahmani kërkoi të mos bëhet politikë me këtë çështje.

“Ne kemi vlerësu, edhe tash vlerësojmë, që për sigurimet shëndetësore duhet të fillojnë mbledhja e premiumeve dhe mbi bazën e këtij fillimi duhet të mendohet edhe zhvillimi i fondit të sigurimeve shëndetësore. Duhet eliminu dhe nuk duhet me bo politikë me këtë punë shumë të ndjeshme me përmasa të tilla që të krijojmë huti te qytetarët”, tha ministri.

Sipas Rrahmanit fillimi i mbledhjes së premiumeve është vetëm fillimi i zhvillimit të fondit të sigurimeve shëndetësore. Ai tha se nuk ka mundësi as buxhetore por nuk ka as përvojë që të mendohet që sot të fillojnë sigurimet shëndetësore dhe sot të merren shërbimet nga fondi.

Ndërsa sqaroi se cilët janë hapat që janë ndërmarrë për të shtyrë përpara këtë proces në mënyrë që në korrik të fillohet me mbledhjen e premiumeve.

“Qeveria e Kosovës ka nda 26 vende të reja që do të rrit numrin e të punësuarve në AFSH, që është paraprirëse e fondit, në 50. Ne e kemi planin e trajnimit dhe besoj që përmes projektit të Bankës Botërore diku në muajt e ardhshëm do të finalizohet dhe do të kontraktohet kompania që është në ekspertizë të verifikuar botërore që do të bëjë trajnimin për fazat e tjera të zhvillimit të fondit”, tha Rrahmani.

Deputetja Besa Baftiu e fajësoji ministrin edhe për mosfunksionim e Sistemit Informativ Shëndetësor, për çka Rrahmani tha se duhet të punohet më shumë, ndonëse theksoi se ky sistem po funksionon në disa rajone.

Përveç sigurimeve shëndetësore në këtë takim u diskutua edhe për implementimin e marrëveshjes së kredisë Kosovë-Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK.

Për këtë Rrahmani tha se është duke u punuar. “Jemi në fazën e përgatitjes së tenderit për marrjen e një kompanie e cila kish me i rregullu hapësirat për vendosjen e koronarografit”, tha Rrahmani.

Ai shtoi se për herë të parë që nga nesër kardiologjia invazive do të funksionojë nga 12 orë.

Ndërsa, Besa Baftiu u shpreh skeptike edhe për rikthimin në funksion të koronarografit pasi që sipas saj kjo nuk do të zgjatë shumë.

Gjatë kësaj mbledhjeje ishte i pranishëm edhe Shemsi Veseli, anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i cili tha se ka nevojë të shtohet numri i stafit në SHSKUK, e veçanërisht në QKUK.

Ministri paraprak i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte premtuar se 2015 do të jetë vit i implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Por, pasardhësi i tij, Imet Rrahmani, në të njëjtin vit kishte deklaruar se nuk ishin gati për mbledhjen e premiumeve.

http://kallxo.com/ska-sigurime-shendetesore-per-kete-vit/

Më pastaj, Rrahmani kishte premtuar se ky Ligj do të implementohet në vitin 2016, por prapë nuk ndodhi.

Premtimi i ministrit Rrahmani ishte që 2017-ta do të jetë viti i implementimit të sigurimeve shëndetësore, por me shtyrjen e mbledhjes së premiumeve shtyhet edhe koha e marrjes së shërbimeve nga qytetarët.

Deklaratat e ministrit nga Krypometri janë vlerësuar ri rrenë.

Rrenat për Sigurimet Shëndetësore