Ministri Valdrin Lluka - Foto: KALLXO.com

Ministri Komenton Dorëheqjen e Drejtorit të ‘Trepçës’

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka folur sot në një konferencë për media për dorëheqjen e drejtorit të “Trepçës”, Ahmet Tmava, për të cilën raportoi KALLXO.com.

Ministri në këtë konferencë ka demantuar dhe ka hedhur poshtë arsyet e dorëheqjes së Ahmet Tmavës, sipas të cilit, një nga arsyet e dorëheqjes është ndërhyrja e ministrit dhe stafit të tij.

“Këtë normalisht që dua ta demantoj, pasi që së pari një drejtor të cilit i ka skaduar kontrata më 6 shkurt nuk mund të japë dorëheqje. Pra, nuk ka pasur mandat dhe si i tillë nuk do të duhej të dilte në zyrat e ‘Trepçës’”, u shpreh Lluka.

Ministri tha se e vetmja kërkesë e drejtorit Tmava ka qenë  të autorizohet për nënshkrime në Bankën Qendrore për shpenzimet që i bën “Trepça”.

“Si rezultat ne nuk e kemi aprovuar një gjë të tillë pasi që ligjërisht i ka skaduar mandati dhe përderisa nuk ka mandat ne nuk mund ta autorizojmë një person pa mandat. Ne kemi autorizuar zëvendësdrejtorin e përgjithshëm si dhe drejtorin e financave, të cilët e kanë marrë autorizimin për vazhdimin e shpenzimeve që i prekin operacionet e ‘Trepçës’”, shtoi ministri.

Ndërsa në lidhje me bordin e “Trepçës”, ministri Lluka tha se për shkak të situatës juridike që ka “Trepça”  momentalisht nuk ka një status të zgjidhur.

“Jemi duke u munduar që të kemi një bord aktiv sa më shpejtë që është e mundur. Kemi pasur diskutime dhe kemi akoma dhe po shpresojmë që në fillim të muajit prill do ta kemi bordin funksional të ‘Trepçës’, i cili pastaj do ta hapte rrugën për çdo gjë tjetër, duke përfshirë edhe punësimin e menaxhmentit dhe në këtë rast  edhe të drejtorit të përgjithshëm”, tha Lluka.