Uran Ismaili me mjekë - Foto: Facebook/UranIsmaili

Ministri Ismaili e dënon gjuhën e mjekut prizrenas të përdorur ndaj pacientes

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka reaguar pas një videoje të publikuar në media, ku shihet një kirurg në Prizren duke e ofenduar pacienten derisa ajo po qante nga dhimbjet.

Ismaili në një postim në ‘Facebook’ e ka quajtur “të papranueshme” gjuhën e mjekut në Spitalin e Prizrenit.

Sipas ministrit, ky veprim i hedh hije të keqe tërë sistemit shëndetësor.

“Gjuha e tillë e përdorur nga kirurgu në Spitalin e Prizrenit ndaj pacientes në dhimbje është e papranueshme. Kjo thyen besimin e qytetarëve dhe i hedhë hije të keqe tërë sistemit shëndetësor. Pacienti dhe sistemi shëndetësor duhet të mbrohet nga të gjithë që e keqpërdorin besimin tonë, fyejnë pacientin dhe vet profesionin e mjekut. Merrni masa sonte. Nesër është vonë”, ka shkruar ministri Ismaili.