Ministri i Sportit ngushëllon familjen e basketbollistit Gazmend Sinani

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi është shprehur se lajmin për vdekjen e basketbollistit Gazmend Sinani e kanë marrë të shtangur dhe të pikëlluar.

”Basketbollit të Kosovës do t’i mungojë njeri ndër lojtarët më të mirë të gjeneratës. Gazmendi shquhej si një basketbollist shume luftarak, gjë për të cilën Kombëtarja jone e basketbollit do të jetë e hendikepuar me humbjen e tij”, është shprehur Gashi.

Ministri ka ngushëlluar familjen Sinani dhe Federatën e Basketbollit të Kosovës me rastin e vdekjes së basketbollistit.

”Gazi përveç angazhimit të tij në disa klube kosovare, ka qene pjese edhe e formacioneve të klubeve të shteteve mike, respektivisht te shtetit turk. Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i shpreh ngushëllime familjes së Gazit, miqve, kolegëve të tij dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës”, është shprehur Gashi, duke u uruar shërim të shpejtë bashkëlojtarëve të Gazmendit.

Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës në Basketboll, Gazmend Sinani, i cili vdiq pas një aksidenti tragjik në Gjakovë do të varroset sot nga ora 18:00 në Prishtinë./21Media