Ministri i përgjigjet biznesmenit: Nga viti 2017 nuk kemi kërkesë për leje ndërtimi në Brezovicë nga Sabri Novosella

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka komentuar deklaratën e biznesmenit Sabri Novosella që pretendon se iu kërkuan ryshfet 800 mijë euro nga zyrtarë të ministrisë që drejton Matoshi në këmbim të një leje ndërtimi në Brezovicë.

Ai ka kërkuar që sa më shpejt kjo çështje të adresohet dhe të zbardhet nga organet e drejtësisë.

“Për mua është shumë shqetësuese nëse kjo çështje vazhdon me u zgjatë. Kjo duhet të marrë një drejtim urgjent, sa më shpejt edhe prej Prokurorisë edhe hetuesisë edhe prej juve mediave edhe prej të gjithëve”, ka thënë Matoshi për KALLXO.com.

Ai ka thënë se ende nuk i kanë identifikuar personat që Sabri Novosella pretendon se kërkuan ryshfet për lejen e ndërtimit në Brezovicë.

Sipas Matoshit, nga informatat që ka marrë brenda ministrisë, kërkesë për leje ndërtimi nuk ka që nga viti 2017.

“Nuk i kemi identifikuar personat, sepse nuk është punë e imja me i identifiku, unë kam kërkuar me u informuar për këtë çështje, me u informu zyrtarisht, nëse ka dosje brenda ministrisë dhe nëse ka dosje, çka flet ajo. E kam marrë dosjen, dhe e di se çfarë ka bërë që nga viti 2011 edhe që përfundon në vitin 2017, dhe prej vitit 2017 e knej, nuk kam asnjë informatë për asnjë lloj letre apo kërkese çoftë nga komuna e Shtërpcës, që ai e tha mbrëmë se gjoja komuna e Shtëprcës ka thënë se na i ka marrë ministria, ose nga ai personalisht ose nga dikush tjetër që ka kërkuar leje për këtë objekt”, deklaroi tutje ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Të kundërtën e tha një ditë më parë biznesmeni Sabri Maxhuni (Novosella). Ai tha se kërkesa e fundit për leje ndërtimi pranë ministrisë së Ambientit është bërë nga ana e tij ishte në dhjetor të vitit 2018.

Dokumentet janë dorëzuar në vitin e kaluar, në dhjetor të vitit kaluar, ndërsa këto (bisedimet), kanë shkuar ndërkohë dhe takimet kanë ndodhë para disa muajve. Vijnë më njoftojnë mua, më njofton menaxheri se s’kam dashtë me kurrkënd tjetër me bisedu, më tha qeshtu puna është, po na kërkojnë 800 mijë euro. Thash, kjo është normale, se s’ka marrë kush leje në Kosovë, përveç në Kllokot që kam marrë unë, për pa dhënë qindra mijëra euro, i disha këto punë. I thash, me ta mos e këputni lidhjen, por vazhdimisht bëni kërkesa me na u dhënë edhe në një rast tjetër u thonë, po mirë po e zbresim, 600 mijë euro dhe dy banesa në Prishtinë, se s’po na shitën banesat”, thotë ai”, ka shpjeguar Maxhuni në një intervistë për KALLXO.com.

Ministri Matoshi ka paralajmëruar edhe për masat nëse pretendimet e Novosellës vërtetohen.

“Masat i parasheh ligji, në rast se ka një dyshim të bazuar për njërin prej njerëzve mrena ministrisë të Mjedisit, atëherë masat domethënë, i parasheh ligji duhet me u pezullu ose duhet me u largu prej punës për me i krijua mundësi hetimi këtij rasti”, deklaroi ai.

Biznesmeni Sabri Maxhuni (Novosella) po pretendon se zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kanë kërkuar 800 mijë euro ryshfet për t’i lejuar investimet në Brezovicë.

Ai thotë se është e saktë se kështu i ka thënë deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, i cili këto dyshime i shpalosi në foltoren e Kuvendit.

Në fjalim në Kuvend, deputeti Zeka tha se pronarit të banjës “Nëna Naile”, Sabri Maxhunit (Novosella) i janë kërkuar fillimisht 800 mijë euro e pastaj 600 mijë euro e dy banesa në Prishtinë për një leje ndërtimi në Brezovicë.

Në një intervistë për KALLXO.com, Sabri Novosella ka rrëfyer për rastin.

https://kallxo.com/ekskluzive-rrefimi-i-22sabri-novoselles-per-800-mije-eurot-qe-iu-kerkuan-ryshfet/?fbclid=IwAR2fk3yCl6LK8ChFLvmmhkd8xTlDqjRdFGQowIX0XzO-hY5JW74cZ_Ca154