Ilustrim

Ministri i MPB-së nxjerr vendim për legalizimin e armëve (Dokument)

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa me 23 nëntor ka marrë vendim për legalizimin e armëve.

Në vendimin e ministrit thuhet se për legalizimin e armëve duhet të shpallet afati kohor për fillimi e procesit të legalizimit.

“Afati kohor shpallet për periudhën gjashtë mujore dhe fillon nga data 17 dhjetor 2018 deri më datë 17 qershor 2019”, thuhet në vendimin e Mustafës.

Tutje në vendim thuhet se gjatë këtij afati për legalizimin dhe dorëzimin e armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive do të pezullohet zbatimi i nenit 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në bazë të këtij neni, kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Nëse vepra penale nga paragrafi i parë  i këtij neni përfshin më shumë se katër  armë ose më shumë se 400 fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.