Fatmir Matoshi- Ministër

Ministri i Mjedisit i shqetësuar për dështimin e ndërtimit të deponisë në Harilaq

Ministri i  Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka shprehur shqetësimin e tij  në lidhje me dështimin e realizimit të projektit për ndërtimin e objekteve për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Harilaq të Fushë- Kosovës, si rezultat i refuzimit të komunës për dhënien e parcelës.

Ministria ka njoftuar se nga zyra e Komisionit Evropian në Kosovë për këtë projekt kishin filluar aktivitetet, ku ishte kontraktuar Kompania ,,GEOKOS”, për të bërë hulumtimet gjeoteknike të lokacionit, por derisa zhvilloheshin shpimet gjatë hulumtimit, Inspektorati i komunës së Fushë Kosovës, ka ndërprerë punët e kompanisë që bënte hulumtimet.

“MMPH menjeherë ka kontaktuar Kryetarin e komunës së Fushë Kosovës, të cilit i është sqaruar qëllimi dhe rëndësia e projektit, dhe i është thënë se pas shqyrtimit gjeoteknik do të pasojë edhe blerësimi i ndikimit në mjedis për projektin. Personat kompetent nga MMPH ishin pjesëmarrës në asamblenë komunale të Fushë Kosovës, me qëllim për të i’u sqaruar rëndësinë e projektit”, sqaron ministria.

Tutje, ministria duke treguar se si ka shkuar procesi i këtij projekti ka bërë të ditur se  asambleja komunale kishte marrë vendim që mos të zbatohet vendimi i Qeverisë për shfrytzimin e lokacionit.

“Ky vendim ende nuk është dërguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, gjithashtu, këtë vendim edhe MMPH nuk e posedon. Ndërkohë, gjatë takimeve, me propozimin e kryetarit të komunës, zyrtar të MMPH-së dhe përfaqësues të Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, kanë vizituar edhe ca vende në afërsi të lokacionit aktual, megjithatë është konstatuar se lokacioni i përzgjedhur dhe i lejuar me vendim nga Qeveria e Kosovës është njëri ndër lokacionet më të përshtatshme që do të plotësonte kushtet në tërësi”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria ka sqaruar se me 21 tetor të vitit të kaluar ka lëshuar autorizimin mjedisor për vazhdimin e punëve nga kompania “Geokos” në Prishtinë, në hulumtimet gjeoteknike të lokacionit, dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve të tjera për projektin.

“Më 7 mars 2019  në udhëheqjen e Matoshit dhe përfaqësuesve nga  Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë,  si dhe kryetarit të komunës së Fushë Kosovës është mbajtur takim ku është diskutuar lidhur me lokacionin e përcaktuar për ndërtimin e objekteve për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë. Takimi  në asamblenë e Komunës se Fushë Kosovës ështe mbajtur me 10 prill 2019, ku është prezantuar projekti si dhe efektet e mundshme në shëndetin e qytetarë”, njofton ministria.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për kundërshtimet e banorëve të Harilaqit për nfërtimin e kësaj deponie në lokacionin e përcaktuar nga Qeveria e Kosovës.

https://kallxo.com/be-anuloi-projektin-12-milionesh-ne-kosove/