Arkiv - Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha gjatë ditës së katërt të ushtrimit fushor 'Shqiponja 6', Foto: Kallxo.com

Ministri i FSK-së përcjell nga afër ushtrimin fushor 'Shqiponja 6'

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha vizitoi FSK-në dhe ushtritë e shtatë shteteve aleate, në kampin fushor në Koliq, më 7 maj 2018, në ditën e katërt të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.

Berisha theksoi se është shumë i rëndësishëm avancimi i ndërveprueshmërisë me partnerët ndërkombëtar në luftimin e fenomeneve që e rrezikojnë sigurinë në përgjithësi.

“Është një mundësi e mirë, që ne si FSK t’i testojmë kapacitetet tona operacionale edhe të avancojmë ndërveprueshmërinë me partnerët tanë ndërkombëtar. Mendoj që ambienti i sigurisë, qoftë i brendshëm, qoftë rajonal, qoftë global, nëse e kemi të avancuar ndërveprueshmërinë, mendoj se do të jemi shumë më të suksesshëm luftimin e të gjitha fenomeneve që mund ta rrezikojnë ambientin e sigurisë në përgjithësi”, ka theksuar Berisha.

Justin Wagner nga Forcat Ajrore Amerikane ka folur në emër partnerëve ndërkombëtar dhe ka thënë se janë shumë krenar që janë pjesë e kësaj ngjarje historike.

“Thellësia e ndërveprueshmërisë dhe partneritetit ndërkombëtar të agjencive të Kosovës është dëshmuar nga dora e parë. I kemi përcjellë operacionet dhe jemi dëshmitarë se si kanë funksionuar. Pra, jemi të nderuar që jemi këtu dhe që kemi pasur rastin t’i shohim këto gjëra”, ka shtuar Wagner.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqen. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Në ditën e tretë, në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’, janë simuluar situata ku është dyshuar se grupet kriminale mund të kenë vendosur mjete të helmuara në afërsi të liqenit të Batllavës. Po ashtu, pjesë e këtij ushtrimi kanë qenë edhe rastet kur grupet kriminale kanë tentuar të bllokojnë lëvizjet e trupave tona në zonën e operacionit duke vendosur barrikada në rrugë.

Ka pasur edhe simulim të rasteve ku një familje ka pasur nevojë për ndihmë dhe evakuim nga thellësia e liqenit të Badovcit.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Ky është episodi i katërt i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.