Ministri i Financave, Bedri Hamza - Foto: Ministria e Financave

Ministri i Financave i shqetësuar me trendin e tjetërsimit të pronave shoqërore

Qeveria e Kosovës i ka miratuar kërkesat e disa komunave të Kosovës për shkëmbimin e pronës shoqërore me atë komunale.

Është miratuar kërkesa e Komunës së Podujevës për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronës të ish Ndërmarrjes Shoqërore kooperativa bujqësore “Përparimi” për qëllim të realizimit të interesit publik.

Gjithashtu, është miratuar kërkesa e Komunës së Ferizajt për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të ish NSH në pronësi të Komunës për qëllim të realizimit të interesit publik. Edhe Komunës së Rahovecit dhe asaj të Prizrenit i është miratuar një kërkesë e njëjtë për një pronës të ndërmarrjes shoqërore.

Por, Bedri Hamza, ministër i Financave luti kryetarët e komunave të Kosovës që të kenë kujdes në këto procese.

“Në të ardhmen mund të paraqiten implikime buxhetore në komunat e Kosovës, andaj duhet me pa edhe obligimet që mund të vijnë në të ardhmen”., deklaroi ai.

Edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri kërkoi që të ketë më shumë kujdes në të ardhmen sepse disa vendime për pronat,  janë duke e futur Qeverinë në procese gjyqësore të cilat po i kushtojnë buxhetit miliona euro.

“Duhet pasur më shumë kujdes në këto procese sepse shembull tani kemi rastin e Bankën Kreditore të Prishtinës jemi në proces gjyqësorë sepse nuk kemi përmbushur obligimet, prandaj duhet pasur kujdes sepse mund të paditeni sërish dhe kjo do t’i kushtojë miliona buxhetit të Kosovës. Prandaj të ketë një afat të caktuar sepse tani psh jeni në një situatë ku mundemi me i humb pesë milionë euro”, tha Tahiri.