Ministri i Drejtësisë: Nuk do të lejojmë askënd që të cenojë sigurinë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës dëshmon përkushtimin e institucioneve për të luftuar krimin e organizuar.

“Ky hetim dhe këto aksione dëshmojnë edhe njëherë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të shtrirë kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës.  Krimi dhe korrupsioni nuk do ta mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri në një komunikatë për media.

Ministri i Drejtësisë tutje tha se institucionet e vendit nuk do të lejojnë askënd që të cenojnë sigurinë.

“Si vend sovran, në të gjithë territorin e së cilit funksionon një rend unik juridik i bazuar në Kushtetutën e vendit, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, duhet të ndjehen të sigurt se institucionet tona nuk do të lënë hapësirë për askënd dhe asgjë që t’ua rëndojë jetën dhe cenojë sigurinë përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi tutje ministri.

Ai tha se aksionet e nisura dje në Prizren, kanë vazhduar edhe sot në veriun e vendit.

“Askush nuk mund t’i japë drejtim të paqenë dhe as të shtrembërojë realitetin e veprimeve të bazuara në rend dhe ligj”, thuhet në fund të komunikatës.

https://kallxo.com/ndalohen-per-48-ore-komandanti-i-vijes-se-gjelber-nga-zubin-potokut-dhe-vellai-i-tij/

.