Ministri i Drejtësisë diskuton për themelimin e Gjykatës  Komerciale- Tregtare

Në kuadër të fushatës “Drejtësia dhe Biznesi”, Ministri i Drejtësisë Abelad Tahiri së bashku me stafin akademik të Fakultetit Juridik kanë diskutuar në lidhje me themelimin e një Gjykate Komerciale-Tregtare.

Në këtë takim me profesorët, ministri Abelard Tahiri ka diskutuar edhe për sfidat dhe problemet që ata mendojnë  se i ka sistemi i drejtësisë si dhe reflektimi i tyre në klimën e biznesit.

Tahiri ndër të tjera tha se njëra nga të metat e sistemit gjyqësor ne vendin tonë është drejtësia komerciale.

“Një nga të metat më të mëdha në sistemin tonë gjyqësor është pjesa e drejtësisë komerciale dhe kjo na ka bërë që të shohim cilat mund të jenë ndryshimet në ketë drejtim”, u shpreh ministri.

Ai tutje ka shtuar se sistemi gjyqësor është në një situatë jo të mirë në raport me bizneset, pasi nuk po arrijnë t’i përgjigjen nevojave tyre.

Në këtë takim, dekani i Fakultetit Juridik,  Haxhi Gashi ka thënë se themelimi i një gjykate komerciale do të ishte shumë i nevojshëm.

“Themelimi i kësaj gjykate komerciale do të ishte një hap shumë i mirë, pasi që mos shqyrtimi i një lënde për një kohë të gjatë ka edhe pasoja që qojnë deri në falimentimin e një biznesi”, ka thënë Gashi.

Ai në këtë diskutim ka rekomanduar edhe rritjen e numrit të gjyqtarëve.

Për numrin e gjyqtarëve, ministri ka thënë se shpresojnë që viti 2019 të jap efikasitet shumë më të madh.

“Presim që të ketë një efikasitet shumë më të madh sepse kemi më shumë gjyqtar, janë ngritur pagat për gjyqtar dhe prokuror dhe nuk ka arsye që të mos rritet efikasitetit në vitin 2019”, është shprehur ministri.

Ndërsa profesori Bedri Peci në këtë diskutim ka rekomanduar që përveç gjykatës komerciale të themelohet edhe gjykata tatimore.

“Mendoj se duhet të themelohet edhe gjykata tatimore sepse kontestet e natyrës  komerciale dhe ato tatimore nuk mund të zgjidhen nga gjykatat e rregullta.

E di që ka plotë konteste të kësaj natyre që presin zgjidhje për të cilën duhet të ketë një proces të mirëfilltë”, u shpreh Peci.

Edhe profesoresha Nerxhivane Dauti nga Fakulteti Juridik e ka përkrahur iniciativën për themelimin e gjykatës komerciale.

“Iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për këtë gjykatë e konsideroj shumë të qëlluar. Formimi i kësaj gjykate kërkon edhe një bazament ligjor, kodin tregtar apo kodin komercial të cilat do ta rregullonin më mirë këtë aspekt”, ka thënë Dauti.

Me qëllim të promovimit të sundimit të ligjit, Ministri i Drejtësisë ka ndërmarrë fushatën e promovimit të drejtësisë në fushën komerciale si fushë mjaft e rëndësishme në funksion të forcimit ekonomik dhe shtet ndërtimit të Kosovës.

Gjatë kësaj kampanjë, Tahiri do të ketë takime me Odat dhe Shoqatat ekonomike dhe biznese të ndryshme me të cilët do të bisedoj lidhur me problemet në sistemin e drejtësisë.