Ministri i Diasporës kërkon që të hapen linja të reja për mërgimtarët

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi gjatë një takimi me drejtorin e operacioneve të Aeroports de Lyon që ka në menaxhim Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”, Jamel Ladhari diskutuan për hapjen e linjave të reja ajrore për bashkatdhetarët.

Siç bëhet e ditur në një postim në ‘Facebook’, hapja e linjave të reja do  të minimizonin kostot e biletave për të cilat diaspora kosovare tashmë disa vite ankohen se janë të larta.

“Së shpejti do të bëhet një memorandum mirëkuptimi i cili do të theksojë qartë përgjegjësitë e të gjitha palëve të përfshira. Koncentrimi ynë është që fillimisht të ulen çmimet e biletave duke futur konkurrencë sa më të madhe të avio-kompanive në Kosovë, e më pas edhe të parandalohet vjedhja nga tour operatorë mashtrues të cilët kanë dëmtuar në shumë raste bashkatdhetarët tanë”, theksoi mes tjerash Gashi, duke shtuar se në këtë kontekst do të formohet së shpejti një grup punues ku do të përfshihen Ministritë e linjës si dhe institucionet tjera përgjegjëse.

Nga ana tjetër, Ladhari tha se është duke punuar që të sjellë linja ajrore nga kompani me renome si Air France, KLM, SAS, British Airëays në mënyrë që qarkullimi i pasagjerëve të jetë sa më i madh ndërsa kostot të jenë më të ulëta.