Ministri i del në mbrojtje Brovinës: Pasioni për ta demaskuar dhunën serbe, e shtyri ta bëjë këtë veprim

Pas akuzave të shumta drejtuar deputetes së PDK-së, Flora Brovina, e cila publikoi fotografinë e “dhunimit”, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i ka dalë në mbrojtje, duke thënë se ajo ka qenë dhe është një ndër gratë më të spikatura të shoqërisë tonë.

Përmes llogarisë së tij në Facebook, Tahiri ka thënë se Brovina i ka rezistuar dhe iu është kundërvënë dhunës sistematike të regjimit serb të Millosheviqit.

“Pasioni i saj për të demaskuar dhunën shtetërore të Serbisë mbi civilët shqiptarë, mbi gratë, pleqtë dhe fëmijët, i ndjekur edhe nga veprimet e saj në ndihmë familjeve dhe nënave para dhe gjatë kohës së luftës, e ka bërë Florën pjesë të pandashme të brezit të njerëzve të veçantë të historisë sonë më të re.”, ka shkruar ai.

Ministri Tahiri gjithashtu ka shtuar se pasioni i saj, për t’i kontribuar dëshmisë mbi krimet serbe në Kosovë, ishte nxitja që e shtyu për të publikuar një dëshmi për këto krime.

Edhe pse siç deklaron ai, Brovina ishte e pavetëdijshme se autenticiteti i kësaj dëshmie nuk qëndron.

“Pavarësisht këtij gabimi tërësisht njerëzor dhe spontan, nuk mund të harrojmë se Flora Brovina është rrëfimi ynë i përbashkët, i një aktivisteje që ishte halë në sytë e regjimit të Millosheviqit dhe viktimë e tij.”, ka shtuar tutje ministri.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në Facebook

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, dje(16 maj) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet një grua teksa dhunohet nga disa ushtarë.

Deputetja Flora Brovina këtë fotografi e ka prezantuar si dëshmi të dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike.

Megjithatë ajo tha se ka kohë që e posedon këtë fotografi dhe se e ka marrë drejtpërdrejt nga familjarët.

“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejt në RTV Dukagjini.

Publikimi i kësaj fotografie, u kritikua ashpër nga deputetë, aktivistë, e shoqata të ndryshme.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale kishte paralajmëruar hetime në bazë të kësaj fotografie dhe se do të marrë në pyetje deputeten për këto dëshmi.

Deputetja Flora Brovina ka folur sot pas intervistimit në Prokurorinë Speciale.

Ajo ka pranuar që fotografia e prezantuar dje, e cila shkaktoi një varg reagimesh në Kosovë, nuk është autentike.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, duket se i ka ndërruar fjalët në prokurori gjatë marrjes në pyetje rreth fotografisë së publikuar të enjten për të cilën pretendonte se paraqet një grua shqiptare të Kosovës duke u dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, e cila e ka intervistuar sot deputeten në cilësinë e dëshmitares, tha se Brovina e ka pranuar se nuk e ka raportuar këtë fotografi më herët në Prokurori dhe se nuk ëhstë në dijeni për identitetin e viktimës në fotografi, përderisa dje e kishte thënë të kundërtën.

Ndërkohë që ish-deputetja Mevlyde Saraçi ka paralajmëruar se do ta padisë për shpifje, deputeten e PDK-së, Flora Brovina.