Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Ministri i Arsimit tregon për ‘hallkat e dobëta’ të Ministrisë

Largimi i rreth 30 drejtorëve të departamenteve e divizioneve në Ministrinë e Arsimit në kuadër të reformës në administratë po shihet si hap tejet pozitiv nga ministri Shyqyri Bytyqi.

Bytyqi tha se në procesin e riformatizimit të kësaj ministrie duhet të jepet shembull për institucionet tjera pasi sipas tij kanë parë pozita menaxhuese të panevojshme.

“Në kuadër të gjërave pozitive duhet ta konsiderojmë edhe reformën në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Administratat në Kosovë në përgjithësi kanë nevojë për një reformë. Neve na ka ra hise të jemi të parët, gjithmonë të parët kanë probleme më të mëdha mirëpo kanë edhe përgjegjësi më të mëdha, varësisht si të lëvizim ne do të shërbej si shembull për institucionet tjera”, tha Bytyqi.

Në debatin përballë Jeta Xharrës, Bytyqi tha se reagimet e të larguarve nga këto pozita janë të kuptueshme por sipas tij nuk e zbehin domosdoshmërinë e reformës.

“Jemi të vendosur që kjo praktikë të jetë e mirë pavarësisht sfidave e problemeve dhe pakënaqësive që mund të krijohen, ne po planifikojmë që kjo reformë të ketë suksesin e duhur. Është rruga më e mirë që e kemi ndjekur sepse së pari duhet ta reformojmë vetveten. Ne e kemi aprovuar një organongram të ri profesional. Janë vërejtur dobësi menaxheriale, është vërejtur një numër të madh të divizioneve”, tha Bytyqi.

Rreth 30 drejtorë të departamenteve dhe udhëheqës të divizioneve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), gjatë javëve të kaluara janë zëvendësuar me ushtrues detyre.

Lidhur me këtë vendim, drejtorët e këtyre departamenteve kishin protestuar për të shprehur pakënaqësitë për degradimin nga pozitat që mbanin.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’  u debatua mbi problemet e arsimit të lartë dhe atij të ulët.

Pjesëmarrës në debat ishin : Shyqyri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës, Jehona Gjurgjeala nga organizata ‘TOKA’, Libor Chlad, nga Komisioni Evropian dhe Rozafa Koliqi profesor asistente në UP.

Në fund  të emisionit u transmetua  hulumtimi mbi konkursin për avancim në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore ku dy kandidatë po ankohen se u eliminuan padrejtësisht nga gara për Profesor Asistent.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: