Ministri i Financave, Bedri Hamza - Foto: Ministria e Financave

Ministri Hamza Tregon Cilat Produkte Janë Liruar nga Tatimi Doganor

Ministri i Financave, Bedri Hamza në një takim prezantoi vendimet e Ministrisë së Financave për lirimet nga Tatimi doganor për pajisjet e teknologjisë informative, lirimet nga Tatimi doganor për pjesët rezervë për subjektet e regjistruara në ATK si subjekte prodhuese si dhe iniciativat tjera ligjore për reforma në tatime.

“Pas pranimit të rezultateve pozitive në sektorin e prodhimit të cilat kanë ardhur si rezultat i vendimeve për lirim nga tatimi doganor për lëndë të parë, gjysmë produkte, linja të prodhimit dhe pajisje të teknologjisë informative për prodhues, kemi vazhduar me takime intensive me komunitetin e biznesit duke përfshirë këtu të gjitha Odat, Klubet dhe Këshillat që veprojnë në Republikën e Kosovës në emër të subjekteve prodhuese, tregtare dhe zejtare, kemi dëgjuar për së afërmi sfidat me të cilat vazhdon të  përballet komuniteti i biznesit në vend, po ashtu kemi pranuar të gjitha kërkesat e tyre për ti përfshirë ato në ndryshimet e ardhshme” tha ministri Bedri Hamza në takimin e mbajtur me media.

Ministria e Financave përveç prodhuesve ka vendosur që ta ndihmojë edhe sektorin e shërbimeve, në këtë rast të rinjtë  të cilët janë shumë aktiv në ofrimin e shërbimeve të TI-së jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit, me qëllim që ta zhvillojmë këtë fushë të shërbimeve.

Ai gjithashtu tha se vendimet të cilat janë marrë sot nga Qeveria për lirime janë vendime të cilat kanë impakt financiar në buxhet, por impakti më i madh i tyre do të jetë pozitiv dhe do të ndikojë në zhvillimin e sektorit të prodhuesve privatë dhe ofrimin e shërbimeve.

“Gjithashtu pritjet tona janë që këto vendime do të na sjellin rezultat shumë pozitiv në zhvillimin ekonomik sikur që na kanë sjellë vendimet të cilat janë në fuqi nga 01 janari 2018. Këto vendime janë në harmoni me planin e Punës së Qeverisë dhe Strategjinë për zhvillim ekonomik të vendit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Nga tatimi doganor janë liruar këto pajisje të teknologjisë  informative:

  • Printerët, skanerët të cilët lidhen me kompjuterë.
  • Të gjitha ngjyrat që lidhen me çipa të ketrigjave.
  • Serverët, shtëpizat etj.
  • Kartelat amë, ram, qendra e procedimit qendror të të dhënave, DD Ram, SD Ram.
  • Të gjitha makinat për zyre apo ato të cilat mund të përdoren në ofrimin e shërbimeve.
  • Furnizuesit me rrymë, invertorët për sistem kompjuterik, modemet, ruterat etj.
  • Altoparlantët për sisteme kompjuterike.
  • Mediumet optike, CD, DVD Softuer, Softuer rrjeti etj.
  • USB, Flash etj.
  • Video digjital kamerat për sisteme kompjuterike.
  • Monitorët monokrom, me ngjyra në forma  LCD, LED OLED etj.
  • Modulet digjitale.
  • Konektorët për fibra optike, kabllo optike etj.
  • Bordet, panele dhe kabinat për të dhëna.
  • Modulet dhe pajisjet për Box Digjital.