Komisioni për Buxhet dhe Financa - Foto: KALLXO.com

Ministri Hamza: Nuk Ka Rritje të Pensioneve Pa u Ndryshuar Ligji

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa se nuk mund të ketë rritje të pensioneve për pensionistët kontributdhënës pa u ndryshuar Ligji për Pensionet.

“Nuk ka mundësi sepse nuk mundemi të bëjmë rritje të pensionit për këtë kategori vetëm pse ata po bëjnë zhurmë gjithmonë. Pa u ndryshu Ligji nuk ka mundësi rritjeje të pensioneve me kategori”, theksoi ministri.

Sipas ministrit Hamza, për rritje të pensioneve nuk ka as buxhet.

Me këtë rast reagoi kryetari i Komisionit për Buxhet e Financa, Lumir Abdixhiku, i cili theksoi se është e lehtë të gjinden mjetet. Ai tha se kjo mund të ndodhë nëse shtohet tatim në paga prej 1%.

“Nuk bëhet kurrgjë nëse tatimit në paga ia shtojmë 1% dhe ato mjete të shkojnë për rritje të pensioneve të tyre, por besoj se këtë çështje patjetër duhet ta diskutojmë një herë tjetër”, tha Abdixhiku.

Kjo çështje u diskutua në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Buxhet e Financa.

Kryetari Abdixhiku tha se pensionistët kontributdhënës kishin kërkuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa rritje të pensioneve konform rritjes së pagave të sektorit publik.