Ministri Hamza: Ka luftim dhe zvogëlim të informalitetit në Kosovë

Ministri i Financave Bedri Hamza tha se ka një luftim dhe zvogëlim të informalitetit në Kosovë për faktin se përqindja e rritjes së të hyrave është gjithmonë më e madhe se rritja ekonomike.

Hamza tha se ka kërkuar asistencë teknike me ekspertizë prej Fondit Monetar Ndërkombëtar që të matet niveli i informalitetit në Kosovë.

“Te informaliteti kam kërkuar që të kemi asistence teknike me ekspertizë prej Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me konstatuar mbi bazën e metodave shkencore cili është niveli i informalitetit në Kosovë se po flasim gjithmonë informaliteti i lartë por shifrat dallojnë varësisht se kush po i prezanton”, tha Hamza.

Ministri theksoi se informalitetin nuk e sheh si çështje për me mbush buxhetin por si nevojë e krijimit të një ambienti të përshtatshëm për konkurrencë lojale që të gjithë tatim paguesit të jenë të trajtuar barabartë.

Këtë deklaratë Hamza e bëri gjatë tryezës së organizuar nga Demokracia Plus dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN me përkrahje të Ambasadës së Britanisë për Integritetin në Administratën Tatimore të Kosovës ku edhe është publikuar raporti për të gjeturat nga monitorimi i drejtpërdrejtë ATK, për periudhën kohore shtator 2018- shkurt 2019.

Hamza tha se raportin e kanë  marr me kohë dhe prezenca e panelistëve në tryezë e tregon faktin se e kanë pranuar si raport të dobishëm dhe serioz.

“Sa i përket të gjeturave të raportit kërkoj prej drejtorit menaxhmentit dhe juve që jeni prezent ta merrni seriozisht dhe me bo si plan të veprimit dhe me i adresuar të gjeturat e raportit. Kur të vjen puna te vlerësimi i performancës secili njeri prej neve duhet me bo vlerësimin e performancës  mbi bazën e punës së njerëzve. E njeri që s’ka performancë mos me mujt me majt pozitën e njëjtë dhe mos me u avancuar në pozita”, tha Hamza.

Hamza kërkoi që përveç zbatimit të ligjit për me mbledh tatimin duhet me pas në konsideratë edhe te drejtën e tatimpaguesit.

“Është shkelje ligjore mos me i mbledh taksat por shkelje ligjore është edhe me dëmtu tatimpaguesin”, shtoi ai.

Hamza e përmendi edhe deklarimin e pasurisë duke thënë se është në procedurë forma e deklarimit të pasurisë.

Hamza premtoi se nëse brena ATK-së nuk kanë resurse të mjaftueshme për tu organizu brenda do t`ua bëjë zgjidhjen.

“Nëse ju nevojiten standardet tre veta janë të pamjaftueshëm. Prandaj nëse kanë hapsirë le të rrisin le ti bëjnë 20 ose 30”, tha ai.

Ai tha se nuk është mungesë e theksuar e numrit por ka nevojë për riorganizim.

“Le të vijnë me kërkesë nëse nuk ka resurse të brendshme le të vijnë me kërkesë ne ua bëjmë zgjidhjen”, shtoi Hamza.

Ai tha se ka pas takim edhe me drejtorin e Policisë edhe me ministrin e Punëve të Brendshme ku si nevojë e kanë parë se duhet të ekzistojë bashkëpunim mes doganës, ATK-së dhe drejtorisë për krime ekonomike që mu luftu krimi ekonomik.

 

https://kallxo.com/raporti-i-d-dhe-birn-zyrtaret-e-atk-tash-e-dy-vjet-nuk-kane-deklaruar-pasurine/

.