Ministri Gashi bën thirrje për themelimin e Tribunalit për Krimet serbe në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka deklaruar se Tribunali për krimet serbe në Kosovë është i domosdoshëm, për arsye se asnjë nga autorët e krimeve deri tani nuk është ndëshkuar.

Këtë deklaratë, ai e bëri gjatë homazheve në Lagjen e Trimave në Prizren.

“Lagja e Trimave (Tususi) si çerdhe e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Prizrenin, gjatë luftës u shndërrua në bazën e ushtarëve të Lirisë. Heronjtë Xhevat Berisha, Salajdin Berisha e shumë të tjerë së bashku me Xhemshit Krasniqin i cili padrejtësisht po mbahet në burg, u vunë në ballë të luftës për Lirinë e Kosovës. Me 26 maj forcat serbe, Njësitë militare dhe paramilitare të tmerruara nga fuqia e UÇK-së, e rrethuan lagjen, i vranë 27 civile të pafajshëm dhe i dogjën 245 shtëpi të lagjes.”, ka thënë Gashi.

Ministri gjithashtu ka shtuar se masakra në këtë lagje, është edhe një dëshmi dhe arsye se Tribunali për krimet serbe në Kosovë është i domosdoshëm.

Gashi theson se deri më sot asnjë nga autorët e këtyre krimeve që e shkaktuan këtë masakër, nuk janë përgjigjur për krimet ndaj civilëve të pafajshëm.

“Asnjë krim nuk do të kalojë pa u ndëshkuar prandaj Kosova e ka detyrë dhe obligim themelimin e këtij Tribunali”, ka thënë tutje ai.