Ministri Deklarohet për ‘Vdekjet e Dyshimta’ në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një deklarate, ka thënë se që nga dita e djeshme ka angazhuar inspektoratet e Ministrisë për të filluar hetimet ‘e pavarura dhe të detajuara’ për vdekjet e dyshimta të raportuara ditëve të fundit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në këtë deklaratë, Ismaili ka thënë se në mënyrë që ky rast të trajtohet me vëmendjen dhe seriozitetin më të madh, ka kërkuar që ekipet e inspektorëve të udhëhiqen nga zyrtarët e lartë të këtyre institucioneve si Kryeinspektorja e Inspektoratit te Shëndetësisë, U.D Kryeinspektorit Farmaceutik, Drejtori i Laboratorit për Kontroll të Cilësisë raportim të rregullt nga SHSKUK për hetimet në sfera tjera

Sipas tij, ekipet kanë izoluar të gjitha pajisjet dhe janë blombuar të gjitha mostrat ndërsa rekomandimet e ekipeve të MSh-së janë që për disa çështje të bëjmë edhe analiza jashtë vendit gjë të cilën ai tha ta ketë autorizuar menjëherë.

Një vdekje e dyshimtë, e katërta me radhë brenda pak ditëve e një pacienteje në QKUK është raportuar sot nga Policia e Kosovës.

Uran Ismaili tha se duke ditur ndjeshmërinë e rastit, ka ngritur çështjet në nivelin më të lartë.

“Pa dashur të paragjykoj ndonjë rezultat apo vendim, dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët se çfarëdo prove e keq-menaxhimit, neglizhencës ose ndonjë faktori tjetër, do ta ketë përgjigjen e menjëhershme institucionale”, premtoi ai.

Ministri tha se shërbimet e sigurta mjekësore dhe trajtimi i dinjitetshëm, janë e drejtë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe çfarëdo tentimi për të dëmtuar shërbimet për përfitime, apo për të neglizhuar situatat, do të ndëshkohet.

Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë. Foto: Facebook

“Unë jam i vetëdijshëm për sfidat që ka ky resor dhe pikërisht për këtë, me ekipin tim, do të jemi të pa-kompromis ndaj të gjithë atyre faktorëve që kanë ndikuar apo ndikojnë që gjendja në shëndetësi të mos jetë ajo që qytetarët e dëshirojnë”, shtoi ai.

“Në asnjë rrethanë nuk do të tolerojmë më neglizhencën apo çfarëdo veprimi tjetër, që e ndalë progresin në shëndetësi”, tha ministri i Shëndetësisë.

“Kjo është dita e dytë e punës sonë dhe do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe intensiv, por më shumë përkushtim dhe vullnet politik do të adresojmë sfidat kryesore të shëndetësisë, duke investuar në shërbime më të mira, kushte shumë më të mira, menaxhim më të mirë, e po ashtu, duke luftuar pakushte çdo dukuri që e lë mbrapa këtë resor; korrupsionin, keq-menaxhimin, shërbimet jo-adekuate dhe çfarëdo pengese tjetër. Për këtë kemi nevojë për mbështetjen e sinqertë të qytetarëve dhe çdo akteri tjetër që ka përgjegjësi në këtë segment”, tha ismaili i cili në këtë pozitë është votuar të shtunën e kaluar nga deputetët e Kuvendit.