Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Ministri Bytyqi: Plotësimi i orëve të humbura, sfidë më vete

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se plotësimi i orëve të humbura si pasojë e grevës së punëtorëve në arsim po bëhet sfidë më vete.

“Fillimisht marrëveshja me SBAShK i ktheu në punë grevistët, por nuk e ktheu humbjen që pësoi mos realizimi i programit mësimor në orët e humbura. Kam kërkuar mirëkuptim, por nuk e gjeta tek ata, më vjen keq për këtë”, tha ai.

Ministri tha se janë të gatshëm që të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.

“Jemi dakorduar që pas seancës, ne jemi të gatshëm që të takohemi me SBAShK-un dhe të diskutojmë sepse gjithmonë kemi qenë të hapur dhe të diskutojmë që të gjejmë zgjidhje në të mirën e nxënësve tonë”, theksoi ministri.

Këto deklarata ministri Bytyqi i bëri në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim.