Ministri Bajrami: Nxënësit ta Shohin sa e Vogël Është Bota

Në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë nxënësve të klasave të gjashta dhe të shtata iu mësua brenda një ore mënyra se si krijohen programet kompjuterike.

Këtë orë që u quajt ora e kodimit, ministri i Arsimit Arsim Bajrami e shfrytëzoi për t’ua përcjellë nxënësve porosinë se tash e tutje shkollat nuk do të jenë vetëm vend edukimi.

“Ne po punojmë që juve të ju mësojmë  përmes kodimit praktikisht edhe të mësoni në shkollë, të edukoheni dhe të argëtoheni,”  tha ministri Bajrami.

Sipas Bajramit mësimi i nxënësve për të krijuar programe do ta bëje shkollimin në Kosovë shumë modern.

“Shkolla jonë tani do të jetë një shkollë digjitale, elektronike. Përmes kodimit ne do të krijojmë shumë programe  ku do ta bëjmë shkollën tonë një institucion ku do ta shohim se sa e vogël është bota përmes internetit,” tha Bajrami.

Uranik Begu, drejtori i Qendrës se Inovacionit të Kosovës, tha se ky projekt do t‘u ofrojë nxënësve një qasje dhe mundësi të re për të koduar.

“Është kënaqësi e veçantë, për shkak se sot po fillojmë me një praktikë të re që shkollave tona dhe nxënësve tonë t’u ofrojmë një qasje dhe mundësi të re për të koduar,” tha Begu.

Drejtoresha e shkollës fillore “Faik Konica”, Kumrije Sahiti u ndje e kënaqur që risitë teknologjike më së pari zbatohen në këtë shkollë.

“Është një privilegj i madh për shkollën tonë sepse të gjitha inovacionet që vijnë në Kosovë, pothuajse implementohen në shkollën tonë,” tha Sahiti.

Uranik Begu shprehu dëshirën që ora e sotme e mësimit të programimit të mos mbetet e vetme.

“Kjo orë e kodimit mos të mbetet një aktivitet vjetor mirëpo të jetë një praktikë dhe shumë shpejtë në vitet në vijim të jetë edhe lëndë e përfshirë në kurrikulë,”  Begu.

Ora e Kodimit është lëvizje globale që përfshin dhjetëra miliona pjesëmarrës nga më shumë se 180 shtete, në përpjekje që bazat e mësimit të krijimit të programeve kompjuterike të jenë më të kuptueshme për të gjithë njerëzit.