Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: Facebook

Ministri i Arsimit: Bursat e Studentëve Mund të Rriten Nesër

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka bërë thirrje për plotësimin e kërkesave të studentëve në lidhje me rritjen e shumës së bursës në Universitetin e Prishtinës.

Ministri ka ripërsëritur qëndrimin e tij lidhur me uljen e shumës së bursave të studentëve që u bë me vendim të Këshillit Drejtues të UP-së në dhjetor.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka njoftuar studentët se i përkrah në kërkesat e tyre për bursë ‘të dinjitetshme’, për studentët mëeritorë.

“Shqetësimi Juaj rreth bursave është plotësisht i bazuar, dhe për këtë kam kërkuar nga Këshilli Drejtues i UP’së, që bursat e studentëve të jenë më të larta… Çdo herë do të jem përkrahës i krijimit të kushteve sa më të mira për të shtuar motivin që studentët tanë të garojnë për tu futur në kategoritë elitare, dhe për këtë besoj që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues të UP’së, që pritet të mbahet nesër, kjo çështje të merr drejtimin e duhur dhe bursat e studentëve të rriten”, shkroi Bytyqi.

Vendimi i Këshillit Drejtues për këtë vit përcaktoi se bursa e studentëve do të jetë në shumën 500 euro, nga 600 sa kishte qenë vitin e kaluar.

Megjithatë, përfaqësues të studentëve të UP-së janë shprehur të pakënaqur me këtë shumë dhe para rektoratit kërkuan që bursat të rriten në 900 euro, sa kanë qenë vite më parë.