Foto: Ilustrim

Minatorët e Trepçës ndalin grevën, arrijnë marrëveshje me ministrin Valdrin Lluka

Pas 5 ditëve, minatorët e Trepçës kanë ndërprerë grevën e tyre. Kjo pas arritjes së marrëveshjes mes minatorëve dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Në një konferencë për media, ministri i MZHE-së, Valdrin LLuka ka treguar se çka pak a shumë përmban marrëveshja e arritur.

“Marrëveshja parasheh kryesisht përfshirjen e disa aseteve shtesë, siç është metalurgjia e zinkut; përfshirjen e disa vendburimeve të cilat kanë munguar për shkak që janë të inkuadruara si zona me interes të veçantë. Si dhe kemi krijuar një grup punues që do t’i trajtoj benifitet sociale”, tha ai në konferencë për media, ku prezent ishte edhe kryetari i sindikatës së minatorëve, Shyqëri Bytyqi.

Sipas Llukës, kanë lënë afat 3 muaj që qeveria të kryej punën dhe të vijnë deri te vendimi final.

“Kemi diskutuar edhe çështjet e benifiteve sociale. E kemi thënë edhe më herët që pensionimi i hershëm është një gjë standard ndërkombëtar për minatorët që punojnë nën tokë dhe nuk mund të shkojë ë  65 vjeç mosha që punojnë at”, tha ai.

Tek benifitet sociale hyn edhe sigurimi shëndetësor dhe njohja e stazhit.

Ndërsa Shyqyri Bytyqi, anëtar i bordit të Trepçës dhe kryetar i sindikatës së Minatorëve tha se kërkesat e tyre do të realizohen brenda tre muajsh.

“Qëllimi jonë gjithmonë ka qenë që Trepça të mbrohet dhe Trepça ka qenë e rrezikuar nga ai draft-statut që ka pasë me kalu në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, me këtë marrëveshje është mbrojtur Trepça.