Mimoza Kusari- Lila në Debat Pernime - Foto: KALLXO.com

Mimoza Kusari Reagon Ndaj ‘Gjuhës së Patolerueshme’ të Kadri Veselit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë Aleternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj fjalorit të kryeparlamentarit Kadri Veseli të përdorur në seancën e sotme të Kuvendit gjatë një debati me deputeten e Vetëvendosjes Drita Millaku.

Sipas Mimoza Kusari-Lilës, debati në Kuvend arriti një standard të ri sa i përket nivelit të ulët.

“Debati i deputetes së LVV Drita Millakut me Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli sot pasdite qe skenë dhe arenë të turpit dhe papërgjegjësisë institucionale”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas deputetes, kryetari i Kuvendit ka përdorur gjuhë denigruese dhe fyese ndaj koleges nga radhët e Vetëvendosjes.

“Ajo gjuhë është e patolerueshmë në çfarëdo mjedisi tjetër e më së paku përkon me institucionin ligjvënës të vendit tonë”, ka shkruar Mimoza Kusari-Lila në profilin e saj në “Facebook”.

“Edhe sa kohë duhet të kalojë para se të mësohemi të sillemi normal në Kuvend? Apo nuk kemi kapacitet për normalitet?!”, ka shtuar ajo.

Mimoza Kusari-Lila i ka rekomanduar kryetarit të Kuvendit “të kontrollojë impulset e tij të reagimit”.

“Në fund ai është për të kryesuar Kuvendin, jo për të na turpëruar me fjalët e nxjerra në mikrofon”, ka theksuar ajo.