Mimoza Kusari- Lila, deputete

Mimoza Kusari ironizon me liderët që gjenden në Bruksel

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja Mimoza Kusari-Lila ka ironizuar me faktin se në Bruksel kanë udhëtuar të gjithë krerët institucionalë e që janë burra.

Ajo u ka shtruar në mënyrë ironike pyetjen e zakonshme të odave “A u lodhët burra?”, ndërsa në fund i ka uruar me fjalët, “Për hajër Burra se fet e keni bo!”.

Rekomandimin pozitiv për Kosovën, Kusari-Lila e sheh si të vonuar, ndërsa përgjegjës i bëri krerët e institucioneve që ishin të pranishëm në këtë takim, përfshirë edhe kryetarin e saj të dikurshëm, Behgjet Pacollin që sot është ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër.

Kusari-Lila gjithashtu përmendi edhe takimin e mëngjesit në mes të presidentëve të Kosovës dhe atij të Serbisë, që sipas saj u mbajt pa konsensus të brendshëm.

Ky është shkrimi i plotë i Mimoza Kusari-Lilës:

“A u lodhët burra?” i paska pyetur Përfaqësuesja e lartë e BE-së krerët e shtetit, të cilët ishin paketuar për të marrë haberin e vonuar tre vite, për të cilin shumica kanë përgjegjësi direkte për këtë vonesë dhe këtë izolim të rëndë të qytetarëve të Kosovës.

Sot për të treguar që kemi pesë Kryeministra, pesë qeveri dhe pesë vilajete të ndara me zona të interesit, të një shteti të vogël dhe të varfër, kemi gjashtë përfaqësues para një gruaje të BE-së.

Këta gjashtë burra duke mos dashtë të kenë asnjë grua në “foton historike” folën më shumë se që menduan dhe na treguan se ku jemi.

Në notë pozitive, Me rëndësi rekomandimi i Komisionit është pozitiv, ndërsa i mbetet Parlamentit Evropian dhe këshillit të ministrave të sjellin vendimin e fundit për liberalizimin e lëvizjes së Kosovarëve.

Mos të harrojmë, në një ditë me këtë lajm, ndodhi edhe një takim pa konsenzus të brendshëm në Kosovë, Thaçi – Vuçiç, si një mesazh i qartë për Kosovarët se procesi i mëtutjeshëm për liberalizimin e vizave do të lidhet për Kosovarët me procesin e dialogut me Serbinë.

Për hajër Burra se fet e keni bo!