Granti nga USAID-i | Foto: RTV 21

Milionët Amerikanë për Sundimin e Ligjit në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie kanë nënshkruar sot amendamentimin e Marrëveshjes mbi Grantin e Objektivave Zhvillimore ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Ky grant është 30 milionë dollarë për mbështetje në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe investimet në sektorin privat.

Kjo marrëveshje dëshmon përkushtimin e qeverisë së SHBA-ve për të ndihmuar institucionet e Kosovës për të realizuar reformat të cilat do të shtyjnë para zhvillimin e Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se marrëveshja e sotme është edhe një hap përpara e mbështetjes së SHBA-ve që i kanë dhënë Kosovës në konsolidimin e shtetit.

Ai shtoi se ky është mesazhi më i mirë që buron në prag të 10 vjetorit të pavarësisë dhe mesazhit për investitorët.

Nga ana e tij, Delawie tha se ky vit ka pasur të arritura të rëndësishme, duke përmendur formimin e qeverisë së re dhe nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.