Milaim Zeka, NISMA.

Milaim Zeka: Postës i ndihmon prokuroria, jo miratimi i Ligjeve

Projektligji për shërbime postare, është shtyrë për seancën e radhës të Kuvendit, si pasojë e neneve që kundërshtojnë direktivat evropiane.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se disa nene në këtë Projektligj janë në kundërshtim me direktivat evropiane, prandaj edhe kërkoi harmonizimin e komisionit me një vendim të caktuar për këtë projektligj.

“Disa nga nenet në këtë projektligj janë në kundërshtim me pesë direktiva evropiane. Prandaj, propozoi që të shkojmë propozim për propozim dhe të mos i kthehemi edhe njëherë. Ndoshta kishte qenë mirë që edhe komisioni për integrime evropiane edhe ne të shkojmë në harmonizim të direktivave”, tha Hoxha.

Për deputetin e NISMA-s, Milaim Zeka postës mund t’i ndihmojë vetëm Prokuroria dhe jo miratimi I ligjeve.

“Unë mendoj që Postës nuk i ndihmon askush tjetër pos Prokuroria, unë mendoj që ne duhet me e fut prokurorinë atje dhe jo me miratu ligje”, tha Zeka.

Ndërkohë, përmes mocionit procedural të iniciuar nga deputeti i LDK-së Armend Zemaj, për tërheqjen e kësaj pike, 43 deputetë të pranishëm në sallë ishin pro tërheqjes së projektligjit për shërbime postare.

Shqyrtimi i dytë për Projektligjin për shërbime postare është shtyrë për seancën e radhës.